CEZ: Ndërprerjet, shkak mbingarkesa

17/01/2012 00:00

Ndërprejet e energjisë, me të cilat po përballen qytetarët gjatë ditëve të fundit, kompania CEZ ja faturon kryesisht avarive në rrjetin e transmetimit.

“Aktualisht shkaku kryesor i ndërprerjeve që bëhen, kryesisht në zonat rurale dhe periferike ka qenë mbingarkesa e rrjetit. Ka patur ndërprerje me kërkesë të OST, kemi bërë shkëputje të alternuara në zonat periferike dhe rurale, jo vetëm të jug-perëndimit, por edhe në zonat periferike dhe rurale në Shqipërinë e Mesme, përfshirë Kombinatin, fshatrat e Tiranës, Krujës dhe Fushë-Krujës”, thotë Admirim Lakra, Drejtor i Divizionit të Shpërndarjes së CEZ-it.

CEZ pranon se ka patur edhe ndërpreje të planifikuara nga kjo kompani për remont, por thotë se ato janë të kufizuara dhe publiku është njoftuar paraprakisht.

“Ndërprerje ka patur si në tension të mesëm, ashtu dhe në tension të ulët por numri i tyre në krahasim me vitet e kaluara ka qenë më i vogël dhe koha e riparimit ka qenë shumë e shkurtër. Nga 9 orë që ishte koha mesatare e riparimit të një avarie në tension të mesëm në dimrin e kaluar, sivjet megjithëse numri i avarive ka rënë dhe koha e riparimit nga 3.5-4 orë. Krahasuar me vitet e tjera, situata është shumë më e mirë”, shton zoti Lakra.

Por në disa zona të vendit ka patur raste kur ndërprerjet zgjasin edhe më shumë se 24 orë, por sipas CEZ këto janë minimale.

“Ne kemi bërë maksimumin dhe fakti që nëpërmjet rrjetit të shpërndarjes arrin që të shpërndahet një sasi rekord e energjisë elektrike tregon që nga ana jonë janë marrë të gjitha masat. Avaritë, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në vendet të zhvilluara është prezente në kohën e dimrit”, thotë drejtori Lakra.

CEZ menaxhon rrjetin e shpërndarjes që prej dy vitesh, pasi u përzgjodh si kompania fituese në tender nga qeveria shqiptare.

Top Channel