Avokati i Popullit në Kosovë, Sami Kurteshi e ka vlerësuar si të tepruar
ndërhyrjen e forcave të policisë në tubimin e së shtunës në pikat
kufitare të Merdarës dhe Dheut të Bardhë, të organizuar nga lëvizja
Vetëvendosje.

“Ndërhyrja e policisë, përzgjedhja e mjeteve dhe metodave, si dhe përdorimi i dhunës ishte i panevojshëm, i pajustifikueshëm dhe joproporcional”, thuhet në një komunikatë për shtyp të AP.

Ky institucion ka vënë në dukje se, përvec se gjatë protestës, dhuna e agjentëve të Policisë së Kosovës është përdorur edhe gjatë transportit të të arrestuarve, si dhe në komisariatin e policisë në Podujevë.

Këtu, Avokati i Popullit ka denoncuar se janë kërcënuar edhe dy nga përfaqësuesit e tij, që po mbikëqyrnin protestën dhe në vecanti sjelljen e forcave të policisë.

“Fillimisht arrestimet janë bërë në mënyrë selektive, duke u fokusuar tek organizatorët e në vecanti tek deputetët që po merrnin pjesë në protestë, ndaj të cilëve është përdorur dhunë e shoqëruar me veprime ofenduese”, thuhet më tej në komunikatën e AP.

Gjatë protestës së të shtunës policia e Kosovës përdori gaz lotësjellës dhe shkopat e gomës për të shpërndarë protestuesit e Vetëvendosjes, që tentonin të pengonin hyrjen e mallrave nga Serbia.

Dy ditë më parë ishte vetë lëvizja Vetëvendosje që akuzoi policinë e Kosovës për ushtrimë dhune ndaj aktivistëve, madje kryetari i grupit parlamentar Glauk Konjufca u shfaq në një konferencë për shtyp me plagë në fytyrë.

Ndërsa të hënën, qindra pjesëtarë të shoqërisë civile protestuan para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Ata dënuan dhunën brutale të Policisë së Kosovës të ushtruar ndaj aktivistëve të Vetëvendosjesdhe qytetarëve diten e shtunën.

Ndërsa diplomacia europiane kritikoi protestuesit duke thënë se manifestimi i tyre bie ndesh me vlera e BE dhe lavdëroi autoritetet e Kosovës për reagimin e tyre. 

Top Channel