“Shqip”: Protesta e 14 janarit në Kosovë

16/01/2012 00:00

Përplasja e aktivistëve të “Vetëvendosjes” me policinë e Kosovës, në protestën e 14 janarit, mbushi me pamje mediat për ditë me rradhë.

Në emër të reciprocitetit të pazbatuar në praktikë, pjestarët e kësaj lëvizje politike vendosën të bllokonin për një ditë mallrat që hyjnë në Kosovë nga Serbia nëpërmjet trupave të tyre, por protesta degjeneroi në gurë, gazlotsjellës, të lënduar dhe shumë të arrestuar.

Nëpërmjet një paneli të zgjedhur opionistësh dhe deputetësh të “Vetëvendosjes”, në emisionin “Shqip”, të Rudina Xhungës, u diskutua pikërisht për “sovranitetin”, çfarë do të thotë ai dhe se deri ku duhet shkuar për ta mbrojtur atë.

Visar Ymeri, kryetar i grupit parlamentar të “Vetëvendosjes”, antarja e kryesisë së kësaj lëvizje, Puhie Demaku, profesori i mirënjohur Hysamedin Ferraj, diplomati dhe publicisti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Abdi Baleta dhe në lidhje direkte nga Prishtina, opinionisti Ilir Deda, i dhanë përgjigje pyetjeve kryesore të ngritura, duke u nisur nga e para, për çfarë shërbeu protesta dhe çfarë ndodhi me të vërtetë.

“Në Dheun e Bardhë, ku unë isha prezent dhe u arrestova, dëshmova në një shpërthim pushteti kundër një proteste paqësore dhe të qetë, kur policia na sulmoi për të na shtypur dhe shpërndarë. Brutaliteti i saj ishte i theksuar, pavarësisht qëllimit tonë për të bllokuar Serbinë vetëm me trupat tona dhe asnjë send tjetër. Qeveria e Kosovës i dha urdhër policisë që të shpërndante protestën dhe çfarë ndodhi e keni parë të gjithë. Në Merdarë ndërhyrja e policisë ishte edhe më agresive, sepse nga kjo pikë importohen më shumë mallra të Serbisë”, deklaroi Zoti Ymeri.

Dëshmitare në dhunën e ushtruar në Merdarë, antarja e kryesisë së Vetëvendosjes, Puhie Demaku, dëshmoi: “Në Merdarë ndodhi që policia kishte marrë urdhër që të bllokohej Kosova. U bllokua kufiri me Shqipërinë, u bllokua me postoblloqe Prishtina dhe gazi lotsjellës nisi të hidhej që më herët. Ata filluan të gjuanin me ujë, madje nuk u respektuan as banorët e ndodhur në ato zona, të cilët gjithashtu u prekën nga dhuna e policisë dhe gazi lotsjellës”.

I pyetur për rezonancën që ka patur protesta e dhunshme e 14 janarit në Kosovë, nga studio e Prishtinës, Deda u shpreh se: “Dhuna nuk është e justifikuar, pasi ishte jashtëzakonisht e egër, e tepër dhe asnjë në Kosovë nuk ka mbetur indiferent, pasi janë ende të gjalla në kujtesë mënyra se si shtypeshin protestat paqësore në kohën e Jugosllavisë. Protesta është përjetuar me hidhërim, mllef, zhgënjim me atë që ndodhi në 14 janar dhe është në të njëjtën kohë një hipokrizi nqs kemi deputetë të Parlamentit të Kosovës, që për shkak të një proteste arrestohen dhe rrihen, kur dhuna duhet të përdoret ndaj atyre që janë pjesë e krimit të organizuar”.

Megjithatë, Deda ngriti pyetjen nëse qëndrimi i Vetëvendosjes për të bllokuar në çdo drejtim Serbinë ishte i arsyeshëm. “Të bllokosh Serbinë ekonomikisht do të thotë edhe që të mbetesh pa barna, pa energji elektrike dhe pa telefoni celulare. Është e qartë që Serbia përfiton nga ofrimi i këtyre rrjeteve, por përfitimi në këtë drehtim është reciprok. KEK-u (Korporata Energjitike e Kosovës) shpenzon 200 milion euro në import energjie dhe pajisje, por e bën këtë pasi ka nevojë. Mendoj se është e qartë për të gjithë që bllokimi i kufijve nuk do të sillte ndonjë bllokim të përfitimeve që Serbia arrin të sigurojë prej Kosovës”.

“Nuk është krejtësisht kështu”, reagoi kryetari i grupit parlamentar të Vetëvendosjes. “Ndërsa ky konstatim i Dedës është i vërtetë, Serbia eksporton çdo vit 600 milion euro mallra në Kosovë, ndonëse deklarohen shumë më pak. Kjo nuk është një shumë e papërfillshme. Qëllimi i aksionit tonë ishte të bllokonim Serbinë si mall dhe ndërhyje politike në territorin tonë, duke qenë se qeveria nuk e bën dot këtë gjë. Përsa kohë ne qëndruam në kufi, asnjë maune dhe mjet serb nuk kaloi në territorin tonë dhe ky ishte një sukses i Vetëvendosjes”.

I përballur me një artikull kritik në një gazetë kosovare, Ymeri u përqendrua edhe në nevojën për të krijuar një ushtri kosovare, ndërsa theksoi se ndryshe nga sa ishte shkruar, Vetëvendosje nuk ishte një lëvizje për vetëmjaftueshmëri dhe izolim në vetvete. “E kemi ngritur edhe më parë nevojën e një armate për të garantuar sovranitetin e Kosovës dhe kjo është ngritur si pikë edhe në këtë shkrim. Megjithatë, duke bllokuar Serbinë, ne nuk po bllokojmë krejt botën. Ne bo bllokojmë vetëm një vend që ka një qëndrim tejet armiqësor ndaj nesh dhe që nuk e njeh sovranitetin e pavarësinë e Kosovës”, theksoi deputeti.

Në replikën e tij nga Prishtina, Deda theksoi se “dhuna e policisë së Kosovës, ndonëse nuk është pritur mirë, është larg të qënit dhunë e një shteti policor si ai i Shqipërisë të Enver Hoxhës apo dhunës që përjetonim dikur në vendin tonë”. Gjithashtu, ai vendosi një pikëpyetje metodat e përdorura nga ana e Vetëvendosjes në kufi. “Nuk e shoh kuptimin e bllokimit të dy pikave dogane, për më tepër kur janë katër të tilla që lidhin Kosovën me Serbinë, atëherë kur pakënaqësia i drejtohet qeverisë dhe vendimeve të saj. Do të kisha preferuar të shikoja atë protestë përpara selisë së qeverisë në Prishtinë dhe kjo do të kishte qenë edhe më e arsyeshme”, theksoi Deda.

Për analistin dhe studiuesin, Abdi Baleta reagimi e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë pas incidenteve të ndodhura në pikëkalimet kufitare në Merdare dhe Dheun e Bardhe në Kosovë gjatë protestës së Vetëvendosjes ishte një turp.  “Kjo që ka ndodhur në këtë rast është një ngjarje shumë e madhe. Ata që kanë pësuar ndonjë dëmtim nuk kanë pse dëshpërohen, kjo ngjarje ka për të vënë në lëvizje një proces. Në Kosovë duan të shuajnë zemërimin për atë që Serbia përpiqet të rikthejë sovranitetin. Kosova është koloni serbe ekonomikisht dhe Serbia do të kthejë edhe sovranitetin politik. Mendoj që vlera e veprimit të Vetëvendosjes është se kërkohet sovranitet, jo republikë të ashtuquajtur. Më vjen turp kur dëgjoj që zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme bën deklarata të tilla. Është koha për të ndarë mikun dhe armikun. Këtu marrëdhënia duhet të kushtëzohet te gjithë këta që shprehen kaq keq kundër Vetëvendosjes janë të tmerruar se po afrohet bashkimi kombëtar. Kosovën europianët duan ta kthejnë pak nga pak ashtu si ishte para Rambujesë”.

Përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Ymer Visari, pasi vlerësoi se protestat e Lëvizjes organizohen për të vendosur reciprocitetin dhe  barazinë mes Kosovës dhe Serbisë paralajmëroi një tjetër protestë, të ngjashme me 14 janarin, që do të mbahet në datën 22 janar: “Në 22 janar kemi organizuar edhe një protestë të njëjtë me 14 janarin, përsëri në kufi, përsëri Serbia nuk kalon, e njëjtë  me 14 janarin, do të ulemi në rrugë, do bllokojmë Serbinë, atë që qeveria e Kosovës nuk e ka bërë”. 

Top Channel