Ilir Meta ka ndjekur procesin gjyqësor në Gjykatën e Lartë në ngarkim të tij nga salla e konferencave për shtyp në selinë e LSI.

Salla ishte e mbushur me antarët e kryesisë, ku nuk mungonin ministrat Vasili e Haxhinasto, si edhe dhjetra të rinj të LRI-së, që shpërthyen në brohoritje sapo u dha vendimi i Gjykatës. Reth 30 minuta më pas Ilir Meta ka dalë në një konferencë shtypi.

“Kam konfirmuar para 1 viti besimin tim të plotë tek drejtësia, ligji dhe e vërteta. Sot Gjykata e Lartë, përmes trupit gjykues, në mënyrë unanime bëri të qartë dhe konfirmoi para gjithë shqiptarëve dhe para gjithë botës jo thjesht pafajsinë e Ilir Metës, por konfirmoi se në këtë vend e drejta do të fitojë gjithmonë mbi padrejtësinë. Kjo ishte një sakrificë që ja vlente pavarësisht zvarritjeve pafund të këtij procesi, sepse kjo ishte një sakrificë e Ilir Metës, por edhe e të gjithë juve për një standart të ri dhe moral të ri në politikën shqiptare”, ka deklaruar Meta.

“Përfundimisht ranë akuzat e bëra nga krimi i organizuar ndaj Ilir Metës, i cili përmes këtyre fabrikimeve, përmes këtyre montazheve, kërkonte të merrte peng jo vetëm Ilir Metën, por edhe shumë institucione të tjera. Dua të falenderoj edhe anëtarët e trupit gjykues, të cilët kanë qenë në një trysni të jashtëzakonshme presionesh, shpifjesh dhe akuzash për të deformuar vullnetin e ligjit dhe të drejtësisë”, ka vijuar ish-zv.kryeministri.

Gjatë fjalës së tij kreu i LSI-së disa herë ka përsëritur togfjalëshin “krim i organizuar”, por nuk ka bërë publike anjë emër se kujt i refereohej,  ndërkohë që ka theksuar se me këtë vendim triumfoi e drejta mbi padrejtësinë.

Top Channel