Rama: Programi ynë i rilindjes

15/01/2012 00:00

20 vjet Forumi Rinor Eurosocialist si hap për një vrull të ri, që organizatorët jo pa qëllim e quajtën RE-FRESH, si simbol i një rinie të re më aktive, më të fortë, pjesë e ndryshimit të një realiteti që sipas kryesocialistit Rama mund ta bëjnë pikërisht të rinjtë e sotëm.

Mbi keto baza lideri i opozitës i bëri thirrje të rinjve të bëhen pjesë e rrugëtimit të socialistëve drejt hartimit të një programi qeverisës ku ata të kenë një vend prioritar. E në këtë rast zoti Rama mori si shembull përzgjedhjen nga ana e PS të një të riu për të drejtuar postin e Avokatit të Popullit.

“Fitoi një djalë i ri që në rrugën e politikës së vjetër të lidhjeve të gjakut e të klanit politik s’do kishte dalë dot kurrë në krye, pavarësisht se ishte i ditur dhe i zoti për ta drejtuar institucionin e lartë kushtetues në interes të të gjithëve e jo në shërbim të palës që e zgjodhi. Ky është vetëm një shembull. Një shembull i vogël, modest. Pikë uji në shkretë tirë mund të thotë dikush. Por është shembulli që u tregon të gjithë atyre që duan ta shohin e të dë gjojnë , se cili është vizioni ynë vizioni i socialistë ve të Shqipë risë së sotme për politikën si instrument në shërbim të interesave të vendit e të qytetarëve”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij kryesocialisti nuk la pa përmendur edhe faktin se në Shqipëri 5 përqind e njerëzve zotërojnë më shumë se gjysmën e pasurisë së vendit. Teksa 95 përqind e popullatës sic tha ai paguan taksa më shumë se kjo pjesë tjetër.

Duke theksuar se socialistët do të heqin taksat për artikujt bazë ushqimore dhe do të minimizojnë ato për ilacet dhe energjinë zoti Rama premtoi një politikë për njerëzit dhe jo për interesat e pushtetit.

Viti i 100 vjetorit ishte një tjetër pikë ku kryesocialisti mbështeti fjalën e tij.

“Në ballkonin e shtëpisë sime vura sot në mëngjes flamurin kuqezi të Skënderbeut e të Ismail Qemalit, flamurin e pavarësisë që festojmë këtë vit. E bëra që kur të vija këtu t’ju ftoja të gjithëve ta bëni të njëjtën gjë kur të ktheheni në shtëpi dhe pastaj së bashku t’i ftojmë të gjithë shqiptarët ta bëjnë këtë gjest, me dëshirën që në 28 nëntor të këtij viti Shqipëria edhe Kosova edhe Tetova e Presheva edhe godinat ku jetojnë shqiptarët nëpër botë të gdhihen me flamurin kuqezi në çdo ballkon a dritare ku jeton një familje shqiptare”, theksoi Rama.

Pasi i bëri thirrje të gjithë të rinjve t’i bashkohen apelit të shoqërisë civile për referendumin ndaj ligjit të plehrave, kreu i Partisë Socialiste u ndal edhe tek përkujtimi dhe nderimi i 4 viktimave të 21 janarit, Ziver Veizit, Aleks Nikës, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës. Duke i ftuar të gjithë të marrin pjesë në homazhet që do të organizohen të shtunën e ardhshme në orën 11 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

“Edhe Faraoni i fundit i Egjiptit e mori së fundmi dënimin për vrasjen e protestuesve me plumba në sheshin Tahrir, ndërsa këtu, në Shqipërinë në mes të Europës, urdhëruesit e vrasjeve shesin përditë dëngla kushtetuese teksa vazhdojnë të grabisin vendin e të rrënojnë shtetin”, mbylli Rama.

20 vjetori i FRESSH

Forumi Rinor Eurosocialist Shqiptar mbushi të dielën 20 vjet nga themelimi i tij me moton e “re:fressh”. 

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në fjalimin e tij përpara të rinjve dhe diplomatëve në Pallatin e Kongreseve, u shpreh se “ri-freshi” është shansi më i mirë për të ridimensionuar politikën shqiptare.

“Në vitet e tij më të mirë, FRESSH ka dhënë një kontribut të vyer për politikën shqiptare. Sot, kjo politikë duhet të ndryshojë. Pa e ndryshuar politikën, nuk mund të jetojmë në atdheun dhe në bashkësinë e kombeve europiane që të gjithë meritojmë”, theksoi Rama.

Ndërsa i bëri ftesë të rinjve që të mos distancohen në indiferentizëm, lideri i PS-së bëri një përqasje me situatën në vitet e rinisë së tij. “Kur unë festoja 20 vjetorin tim, jetoja në një botë pa liri, të izoluar nga të gjallët që jetonin përtej bunkerit të madh në të cilin të gjithë gjendeshim. Sot, ju jeni të lirë dhe e keni botën një klik larg, por fatkeqësisht, ky është ndryshimi i vetëm thelbësor”, tha Rama.

“Të rinjtë shqiptarë janë sot midis horizonteve që ofron bota dhe zymtësisë që ofron përditshmëria e sotme shqiptare. Televizori dhe rrjetet sociale janë bërë mënyrat tuaja të vetme për të shpëtuar nga prapambetja në të cilën ndodhet sot Shqipëria. Në 20 vite ndryshime, nuk janë ndërtuar shkolla, nuk janë ofruar mundësi të reja për ju dhe kjo nuk mund të vazhdojë të jetë më kështu”.

Përpara Rames, edhe Erjon Veliaj theksoi nevojën për ndryshim, ndërsa bëri të qartë që ndryshimin e vërtetë mund ta sjellin vetëm të rinjtë.

“Sot jemi këtu për të thënë që Shqipëria bëhet. Është shumë e thjeshtë të biesh në zymtësinë që ofron pushteti aktual, por ne nuk do të bëjmë këtë. Skëndërbeu, Ismail Qemali apo Pandeli Majko dhe Ilir Zela, kur themeluan këtë forum, thanë që po, do të bëhet”, deklaroi Veliaj, sekretari për rininë dhe emigracionin në Partinë Socialiste.

“Sot, ndërsa ne flasim, janë një milion të papunë të shkolluar në Shqipëri, ndërsa për ata 1% që kanë fatin të kenë të lidhur familjarët me pushtetin, punësimin, në çfarë do vendi që kanë dashur dhe duan, nuk ka qenë kurrë një problem. Dëgjojmë qeveritarët që flasin për rritje dhe progrese të papara, kur në konviktet tuaja nuk ka ujë për t’u larë. E gjitha kjo vjen sepse ata që drejtojnë, e kanë humbur tërësisht lidhjen me realitetin”, tha Veliaj.

Ndërsa bëri një mesazh për një solidaritet më të madh midis të rinjve, në këtë 20-vjetor, Veliaj foli edhe për qëllimin e vërtetë të “ri-freshit”. “Ky ri-fresh është i dimosdoshëm pikërisht për të rifreskuar idenë që Shqipëria do të bëhet. Dhe ajo do të bëhet pa plehra, referendumi i të cilit do të mbahet falë firmave tuaja. Ajo do të bëhet me një buxhet arsimi që do të shkojë në 5% dhe me një program që do të punësojë 300 mijë persona”.

Në fjalën e tij, sekretari për rininë foli edhe për diskriminimin e kryer ndaj lëvizjes prej “mediave të kontrolluara nga shteti.” “Gjatë të gjithë javës, televizionet dhe gazetat e pushtetit na kanë sulmuar dhe na kanë quajtur tradhëtarë. Tradhëtarë sepse kritikojmë vjedhjet në Rrugën e Kombit apo vrasjet në bulevard.  Megjithatë, në fjalorin tim dhe tonin, hajdutët dhe vrasësit nuk quhen patriotë”.

Pas Veliajt, fjalën e mori edhe një prej gjashtë themeluesve të parë të FRESSH, Ilir Zela, i cili kujtoi se si u themelua lëvizja dhe risolli arritjet e saj që ai cilësoi si një akademi të politikës shqiptare ndër vite.

Top Channel