Krimi brenda familjes ka shokuar komunitetin e Rubikut. Një 42-vjeçar ka plagosur me thikë bashkëshorten dhe vajzën e tyre, 17-vjeçare.

Ngjarja ndodhi në qytezën e Rubikut, të rrethit të Mirditës, pasditen e së shtunës. Ilirjan Buraku, 42 vjeç, nuk ka pranuar kërkesën për divorc të bashkëshortes së tij, e cila prej një muaj e gjysmë kishte fituar edhe statusin e vetëmbrojtjes, ku bashkëshorti i saj nuk lejohej të afrohej tek bashkëshortja dhe fëmijët.

Ndërsa Diana Buraku kishte kërkuar edhe divorc dhe çifti pritej të përballej me gjykatën e Lezhës. Sipas të dhënave policore Ilirjan Buraku, ka hyrë me forcë në banesën e tij, duke shkatërruar porten dhe më pas është konfrontuar fizikisht me të shoqen.

Gjatë përleshjes, Buraku ka qëlluar me thikë një herë bashkëshorten në bark. Në këto momente vajza e tyre është përpjekur t’i ndajë, por edhe ajo ka marrë një të goditur me thikë në trup.

Të plagosura, ëmë e bijë u dërguan menjëherë në spitalin e Rrëshenit, ku sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetën.

30 minuta pas krimit, policia arrestoi autorin e krimit Ilirjan Buraku, vetëm 1 km larg Rubikut. Pas arrestimit ai ka pranuar edhe autorësinë e krimit.

Sipas dëshmive në polici, autori nuk ka dashur divorcin.

Cifti Butraku ishte i papunë dhe varfëria duket se ka qenë shkaku i problemeve të tyre.

Top Channel