Kriza e Euros, makth apo perspektivë?

15/01/2012 00:00

Prof. Dr. Anastas Angjeli – Në përpjekjet “titanike” për të ngushtuar hapësirën e veprimit të krizës së eurozonës dhe të “kufizimit” të tronditjes së euros, situata mbetet ende e turbullt, megjithëse sinjalet pozitive për përmirësim të situatës janë të dukshme.

Viti që sapo filloi po karakterizohet nga një intensitet i lartë përpjekjesh të liderëve kryesorë botërorë (europianë e SHBA) dhe të institucioneve financiare ndërkombëtare në shpëtim të euros dhe vetë eurozonës. Të gjitha këto në kushtet e një viti të vështirë ekonomik e financiar që vendet e eurozonës në veçanti dhe ekonomia globale në përgjithësi la pas dhe të një viti që sapo nisëm, akoma më të vështirë, me të cilin pritet të përballet. Në krye të “betejës” për shpëtimin e euros është vendosur dyshja Merkel-Sarkozi. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Gjermania, lokomotiva ekonomike jo vetëm e eurozonës dhe Franca (e cila ka humbur nivelin tre A të ekonomisë dhe aftësia kredituese është ulur me një notë), mbajnë peshën ekonomike e financiare më të madhe për përballjen e kësaj krize në eurozonë, sa kohë që Italia është infektuar rëndë nga kriza e borxheve sovrane dhe forca e saj ekonomike është lëkundur dhe Britania e Madhe, duket se “është disi më e ftohtë” në qëndrimin e saj për të kontribuar më me forcë në zgjidhjen e këtij problemi. Kësisoj, Europa u zgjua e tronditur në ditët e para të këtij fillimviti. Një vit i vështirë ekonomik e financiar do të jetë viti 2012, deklaroi në ditët e fundvitit që lamë pas, Kristin Lagard, drejtorja ekzekutive e FMN-së për situatën e pritshme të zhvillimeve në ekonominë globale. Dy protagonistët kryesorë “të shpëtimit të euros dhe eurozonës” Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, paralajmëruan vështirësitë dhe rreziqet e vitit 2012, dhe “frikën” e një recesioni tjetër ekonomik për vendet e eurozonës. Kështu, Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se Europa po përballet me testin më të vështirë në dekadat e fundit. Ndërsa për Presidentin francez, theksoi se viti 2012 është i mbushur me rreziqe. Shumë analistë parashikojnë recesion në vitin 2012, duke iu referuar shifrave të publikuara së fundmi, që tregojnë se rritja ekonomike në kontinentin e vjetër, në periudhën korrik-shtator ka qenë vetëm 0. 2%. Greqia, Spanja, Portugalia, Italia etj., ndodhen përballë vështirësive nga më të mëdhatë ekonomike dhe me financa publike të tronditura. Niveli i papunësisë në 17 vende që përdorin monedhën e përbashkët euro arriti shifrën e 10.3%, një “armatë” prej 16.3 milionë njerëz (të papunë), me një shpërndarje të pabarabartë të nivelit të papunësisë, që shkon nga rekordi 22.9% i Spanjës, në vetëm 4% i Austrisë. Ndërkaq, euro bëri “pikiatën” më të fortë të kësaj periudhe, duke shënuar pikën e saj më të dobët në 5 javët e fundit, 1 euro=1.26 USD. Kjo tablo tronditëse e eurozonës ka vënë përballë mendime të ndryshme, skeptikë dhe pesimistë, realistë e guximtarë. Dilema dhe supozime nga më të ndryshmet priten të qartësohen. Por sidoqoftë, në shumë raste duket se zgjatja pa zgjidhje konkrete e kësaj krize duket se po shndërrohet në një makth, ndërsa për ata që e shohin me më realizëm dhe me besim duket se një perspektivë e re po e pret eurozonën dhe vetë euron.

Skeptikët dhe pesimistët druajnë se “ëndrra europiane” po shndërrohet në makth dhe e shohin me frikë të ardhmen e euros. Sipas tyre, kriza aktuale është një krizë e trefishtë: a) katastrofë ekonomike, b) është krizë politike dhe c) është krizë e unitetit europian, e vlerave europiane, krizë besimi dhe legjitimiteti. Kjo i bën ata mosbesues në të ardhmen e euros, madje dhe të vetë BE-së. Këtu përfshihen edhe ata që mendojnë se një apo disa vende anëtare të eurozonës mund t’i rikthehen monedhës së tyre kombëtare duke u larguar nga eurozona.

Ndërkaq realistët, optimistët dhe ata që janë vënë në krye të betejës për shpëtimin e euros dhe të eurozonës duket se i shohin me një sy tjetër zhvillimet që ndodhën e po ndodhin, duke nxjerrë mësime dhe duke marrë masa, për një perspektivë të ardhshme pozitive dhe në rigjallërim të eurozonës dhe vetë euros, duke filluar nga gjysma e dytë e viti 2013. Duket se sinjalet e para të rikthimit të besimit po vijnë. Kështu, me gjithë dobësimin e monedhës europiane në tregun valutor, kjo do të ndihmojë eksportet europiane duke kontribuar në shmangien e recesionit. Kështu ka deklaruar vetë kreu i Këshillit Europian, Herman van Rompuy, gjatë vizitës së tij në Kopenhagën. Mundësi të reja tregtare dhe tregje të reja duhet të zbulohen për të stimuluar kërkesën e jashtme dhe eksportet e eurozonës, ka thënë Rompuy. Sipas tij, zhvillimet e fundit të normave të këmbimit të euros do të jenë një ndihmë për ekonominë e kryesisht në sektorin e shkëmbimeve tregtare. Liderët europianë do të diskutojnë një strategji antikrizë, për një nxitje të rritjes dhe punësimit në Samitin e Brukselit më 30 janar. Këtij problemi i shtohet edhe një çështje tjetër e rëndë që po kërcënon eurozonën, krahas krizës së borxheve sovrane. Kjo është kriza e borxheve te fondet shtetërore të pensioneve, e cila tashmë po del në sipërfaqe. Janë rreth 39 trilionë euro detyrimet për pensionet e parashikuara për popullsinë ekzistuese. Sipas këtij studimi, ky detyrim është pesë herë më i madh se borxhi publik në 19 vende të BE-së, të marra në analizë. Nga kjo shumë vetëm Gjermania llogarit rreth 7,6 trilionë euro dhe Franca 6,7 trilionë apo rreth 47% të totalit, thonë autorët e raportit. Këto të dhëna janë shqetësuese, duke konsideruar edhe masat e ndryshme të aplikuara për reduktimin e borxhit publik, të cilat do ta çojnë bllokun drejt një recesioni, duke shkaktuar një rëndesë të krizës financiare në vijim. Lindjet e qëndrueshme apo në rënie, por edhe rritja e jetëgjatësisë, shtojnë presionet duke rënduar kuadrin, ku përqindja e prodhimit të destinuar për pensionet e vendosura duhet të arrijë në 14% në vitin 2060. Kjo situatë e paqëndrueshme duhet të ndryshohet, ka komentuar për “Bloomberg”, një nga kërkuesit e Institutit Ndërkombëtar të Ekonomisë në Uashington DC. 
Në këto kushte, Brukseli ka hedhur hapin e parë konkret të qeverisjes ekonomike europiane, duke anonçuar sanksione konkrete për vendet që nuk respektojnë kriteret e Mastrihtit. Komisionieri europian për financat, Olli Rehn, ka deklaruar në një konferencë për shtyp, se prej 5 vendeve që ishin në deficit eksesiv buxhetor, Belgjika, Polonia, Qipro dhe Malta kanë marrë masat e duhura fiskale për të reduktuar deficitin e tyre, ndërkohë që Hungaria nuk e kalon testin dhe kjo nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. 
Kështu, Hungaria rrezikon ndërprerjen e fondeve të kohezionit, të cilat mbulojnë projekte në fushën e transportit, infrastrukturës, mjedisit. Financat publike të shëndosha janë një parakusht i nevojshëm për një rritje të qëndrueshme ekonomike, punësim dhe forcimin e besimit në ekonominë hungareze”, deklaroi ai. 
Edhe masat ndëshkuese ndaj Hungarisë do të diskutohen gjatë takimit të ministrave të Financave para Samitit të 30 janarit. Gjithashtu, hapat për të shpëtuar Greqinë nga falimentimi dhe dalja nga euro, duket se tashmë janë më konkretë. Mediat kanë “zbuluar sekretet” e bisedimeve mes Kancelares gjermane Angela Merkel dhe shefes së FMN-së, Christin La Garde, që duket se kanë shqyrtuar mundësinë e rritjes së paketës së ndihmës për Greqinë. Ndërkaq, mediat greke raportuan mëngjesin e djeshëm se qeveria teknike e Papadhimos po planifikon të dorëzojë ditën e hënë një projektligj që detyron investitorët të marrin pjesë në programin e shkëmbimit të borxhit.

Gjithashtu, manovra Monti në Itali duket se është në rrugën e duhur. Krahas takimeve të zhvilluara në këto ditë të para të këtij viti, Sarkozi dhe Merkel do të vizitojnë të dy Romën në datën 20 janar. “Italianët kanë treguar një qëndrim shumë të pjekur. Ne nuk duam ndonjë shpërblim apo një medalje, por vetëm njohjen e faktit që tashmë nuk jemi më një burim i mundshëm i përhapjes së ndonjë sëmundjeje për Europën”, tha Monti përpara gazetarëve. 

Nga ana e saj, Merkel shtoi: “Shpejtësia dhe thellësia e reformave të kryera, kanë për të forcuar pozitat e Italisë, kanë për të përmirësuar perspektivën e saj ekonomike, ndërsa janë shndërruar në një shembull për shpejtësinë me të cilat janë zbatuar”. 

Duket pra, se eurozona po e lë pas makthin dhe po i rikthehet besimit, po përgatitet të ristartojë një perspektivë të re. Le të presim…

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel