Shumica e protestuesve të arrestuar dje në protestën për bllokimin e mallrave serbe tashmë janë liruar.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës thonë se nga 146 protestues të arrestuar, vetëm 15 po mbahen ende në burg, pasi të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt. Janë 15 persona, pjesëmarrës në protestën e djeshme të organizuar nga Lëvizja “Vetëvendosje”, në dy pikë kalimet kufitare në Merdarë dhe Dheu i Bardhë, të cilëve u është shqiptuar masa e ndalimit policor me vendim të prokurorit, ndërsa të arrestuarit e tjerë janë liruar me procedurë të rregullt.

Sipas të dhënave të Policisë, totali i të arrestuarve ishte 146 persona. Ndërkohë tani janë vetëm 15, të cilëve u është shqiptuar masa a ndalimit policor, me vendim të prokurorit. Nga numri i përgjithshëm i të arrestuarve prej 146 personave, 112 kanë qenë të arrestuar në protestën e cila është mbajtur në afërsi të pikë kalimit kufitar Merdare, kurse 34 kanë qenë të arrestuar në afërsi të pikë kalimit kufitar Dheu i Bardhë.

Gjatë ditës pritet që policia e Kosovës të dalë me një konference për shtyp për të shtjelluar të gjitha detajet e ngjarjes së djeshme. Po kështu priten reagime edhe nga Lëvizja Vetëvendosje. Mësohet së aktualisht kjo e fundit është duke zhvilluar një mbledhje të jashtëzakonshme më drejtuesit e partisë.

Rrihet deputeti i Vetëvendosjes

Protagonistët e përplasjes në pikën kufitare të Dheut të Bardhë, ku
policia ndërhyri në oret pasdites ishin deputete dhe vetë nënkryetari i
Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. 

Ai u ndalua bashkë me të tjerë dhe u rrah nga policia. Në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se Konjufca është lënduar rëndë.

Rreth orës 22, ai u lirua nga Komisariati i Gjilanit, ku siç njofton Lëvizja Vetëvendosje ai është dhunuar sërish nga policia.

Liburn Aliu dhe Visar Ymeri ishin po ashtu në mesin e të lënduarve. Ndërhyja e njësisë speciale edhe në afërsi të portës kufitare Dheu i Bardhë erdhi rreth orës 18, pasi që më parë dështuan bisedimet me drejtuesit e Vetëvendosjes që protestuesit të shpërndahen të qetë.

Gjatë ndërhyrjes janë arrestuar më shumë se 30 aktivistë dhe mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa sipas Policisë së Kosovës janë lënduar 3 zyrtarë policorë të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësorë.

Kësisoj, vetëm 7 orë ka zgjatur protesta e Vetëvendosjes e cila ishte thënë se do të zgjaste derisa qeveria të zbatonte vetë vendimin e Kuvendit për reciprocitet.

Gjatë kohës sa rruga ishte e bllokuar në afërsi të portës kufitare Dheu i Bardhë, asnjë kamion me mallra serbe nuk hyri në Kosovë.

Në orët e vona të së shtunës mbrëma, Policia e Kosovës njofton se situata në rrugën që çon në pikën kufitare tek Dheu i Bardhë është normalizuar.

Top Channel