Energjia, industria e rëndë drejt kolapsit

15/01/2012 08:30

Ishte paralajmëruar me kohë nga shoqëritë e industrisë së rëndë se ligji i ri për energjinë do të shkaktonte pasoja tepër negative për bizneset e tyre, me efekte natyrisht edhe sociale.

E përditshmja “Shqip” lajmëron se që prej datës 1 janar, kompanitë private, të cilësuara nga ERE si klientë të kualifikuar, që furnizohen në rrjetin 220 kilovolt dhe me konsum vjetor prej 50 milionë kilovatësh, duhet ta sigurojnë vetë energjinë elektrike në treg të hapur dhe jo më ta blejnë te CEZ-i, me çmime të ulëta.

Sipas modelit para se të hynte në fuqi ligji, KESH ia shiste energjinë CEZ-it për 2 lekë kilovati, kurse kompania çeke ia shiste kompanive të industrisë për 7 lekë, pra me 5 lekë fitim të pastër ose sipas Ministrit të Ekonomisë, me vlerë prej 35 milionë eurosh plus për CEZ, por me pasoja për konsumatorët.

Tashmë nuk do të lejohet më që industria ta blejë energjinë te CEZ, por me tender në tregun e huaj, ose vendas, por gjithnjë me çmime tregu dhe jo të rregulluara.

Me çmimet aktuale të importit dhe me sasinë e energjisë elektrike që u duhet kompanive për furnizim të rregullt (900 milionë kilovat), rezulton një kosto prej 65 milionë eurosh.

Vetë shoqëritë nuk e kanë kundërshtuar ligjin, madje e mbështesin hapjen e tregut, por kërkuan nga kryetari i komisionit në Kuvend shtyrje të afatit, pasi koha për përgatitjet e dokumenteve është shumë e vogël.

Kështu, nga 1 janari rreth 7 shoqëri të sektorit mineral, çimentos dhe hekurit nuk u furnizuan më nga CEZ. Pasojat e para duket se i ka ndjerë “Kurum”, fabrika e çelikut në Elbasan, duke ndërprerë punën dhe duke kthyer në shtëpi rreth 700 punëtorë.

Protestat, sakaq kanë nisur dhe pritet të rifillojnë të hënën, ndërsa të tjera kompani do të reagojnë negativisht.

Fabrikat dhe uzinat që preken nga ligji i ri kanë të punësuar rreth 7 mijë punonjës dhe se zgjidhja e problemeve të fundit kushtëzohet me furnizimin e energjisë nga qeveria.

Përmes një letre dërguar pak kohë më parë te ministri i Ekonomisë dhe te ballafaqimi që patën me Kuvend para deputetëve, grupet e interesit në sektorin e industrisë shprehen se pasojat ekonomike do të jenë të mëdha, duke cenuar klimën e investitorëve.

“Të blesh 1 miliard kilovatë energji në një kohë kaq të shkurtër është shumë. Tani jemi në fund të nëntorit dhe nëse ligji do të hyjë në fuqi në fillim të janarit, do të jetë e pamundur, sepse kemi vetëm pak ditë kohë”, mësohet nga procesverbalet e Kuvendit të ketë thënë njëri nga përfaqësuesit e sektorit të industrisë.

Në ankesën e tyre, kompanitë kanë kërkuar mirëkuptimin e shtetit dhe kohë për zbatimin e ligjit, asgjë më shumë. Nga sa mësohet, as ministri i Ekonomisë dhe as kryetari i Komisionit Parlamentar të Veprimtarive Tregtare, nuk kanë ofruar konsensus, ku i pari nuk gjeti as kohën për t’i takuar apo kthyer përgjigje, ndërsa i dyti u tha se ishin vonë, “ligji tashmë është miratuar”.

Tashmë shoqëritë duhet të punojnë me kapacitete të vogla ose do t’i mbyllin uzinat deri në zgjidhjen e problemit të përgatitjes së tenderit, i cili kërkon kohën e tij, por nga ana tjetër duhen planifikuar edhe dhjetëra milionë euro për blerjen e energjisë.

Kompanitë e industrisë, një pjesë e mirë kanë investuar miliona euro për ngritjen e fabrikave dhe kanë me mijëra të punësuar, sikurse kanë marrë përsipër të shpenzojnë edhe për rrjetin e transmetimit të energjisë, por problemi që nuk e zgjidhin dot është koha e pamjaftueshme, për shkak se ligji u vu shumë shpejt në zbatim.

Top Channel