Durrës, fundoset çisterna pranë bregdetit

15/01/2012 00:00

Një tjetër ngjarje e rëndë në Portin e Durrësit. Dy anëtarë të ekuipazhit të një anije cisternë që u përfshi nga flakët mesditen e së dielës humbën jetën, ndërsa një tjetër rezulton i zhdukur.

Zjarri  përfshiu anijen vetëm gjashtë milje larg bregdetit në Porto Romano, në Durrës. Ekuipazhi ka qenë duke pastruar tankerat, pak pasi kishte shkarkuar një sasi të konsiderueshme të karburantit në portin e hidrokarbureve në Porto Romano, kur në rrethana ende të pasqaruara u përfshinë nga flakët.

Ekuipazhi prej 15 marinaresh turq dhe azerbaxhanas është përpjekur të shuajë zjarrin i cili ishte i përmasave të mëdha duke e shkatëruar atë brenda pak minutash.

Për më pak se gjysëm ore që nga rënia e zjarrit anija “Edir” me flamur të Sierra Leones dhe me kapiten turk është fundosur.

Forcat e policisë kufitare dhe ato të kapitenerisë së portit kanë ndihmuar me shpejtësi ekuipazhin të evakuohet.

12 pjesëtarë të saj mundën të shpëtojnë, ndërsa kapiteni dhe një prej marinarëve humbën jetën.

Policia thotë se, ka filluar kërkimet për të gjetur edhe një marinar të tretë, i cili rezulton të jetë i zhdukur.

Dymbëdhjetë marinarët që i shpëtuan zjarrit në anije, u dërguan nga autoritetet shqiptare në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe në gjendje të mirë shëndetësore.

Top Channel