Zullumi këputet duke u trashuar

14/01/2012 00:00

Zamira Cavo – Dalja e kryetarit të qeverisë vetëm disa minuta pas daljes së
Presidentit, në emisionin “Fiks Fare”, nuk do të përbente ndonjë lajm
sensacional, për aq kohë sa kjo dalje justifikohej me interesat partiake
e pushtetmbajtëse.

Pra, që z. Berisha të dilte pas Presidentit, është më se e pranueshme për mentalitetin bajraktar që sundon në politikën shqiptare. Goditjen e fundit e jep “më i forti”! Nën këtë këndvështrim, ishte pothuaj e lexueshme që z. Berisha të gjente një ekran tjetër, e të sulmonte, pa doreza, ‘Fiksin’ dhe natyrisht, Presidentin. Por edhe këtë radhë z. Berisha tregoi se është i paparashikueshëm. Përveçse disa batutave foshnjarake, që kanë të bëjnë me mentalitetin e “të fortit”, për z. Çakuli, Kryeministri anashkaloi këtë duke u ndalur fort në procesin “Meta”. U ndal në momentin më të pafavorshëm, duke shtuar edhe më shumë zullumet e tij në politikën aktuale. E gjithë intervista e tij ishte, as më shumë e as më pak, një përpjekje për të treguar se “me mua nuk matet njeri”!

Pse u detyrua Berisha të mbajë një qëndrim të tillë?

– Së pari, për të treguar se ai është dhe do të jetë mbi Presidentin! Dhe këtu nuk është fjala për institucionin e Presidentit, por për Presidentin konkret, real. Dhe kjo është e kuptueshme, sepse, z Topi, figura më e rëndësishme e Partisë Demokratike, jo vetëm nuk po i bindet më, por po e sfidon, duke e hutuar me bërjen e një partie të re. Në këtë luftë brenda llojit, Berisha e ndjen frikën e një kundërshtari si z. Topi, dhe pse në publik apo në tryeza miqsh bën humor me të. Berisha e di mirë se me z. Topi, Partia Demokratike vihet përballë një rreziku real shpërbërjeje. Dikush mund të thotë se, z. Berisha e ka provuar këtë me Pollon, me Ceken, me… etj., etj. Dhe, ata sërish janë kthyer puthadorë në PD. Por, kjo ka ndodhur vite më parë. Sot PD-ja nuk është më ajo e dikurshmja dhe z. Berisha nuk ka më fuqi për të përballuar situata të ngjashme. Kur them fuqi, e kam fjalën jo thjesht për fuqitë fizike (sigurisht, edhe ato kanë rolin e tyre), por për fuqi “shpërblesash”, për “mbajtje afër”, për joshje politike e materiale. Berisha e ndjen se burimet e kësaj natyre kanë marrë fund, pasi skena politike alla shqiptare e ka vënë me shpatulla pas murit. Ai është i angazhuar totalisht me politikat jashtë partisë, dhe nuk do të mundet dot të përballojë ndeshjet brenda radhëve të saj. Momentalisht ai është para dilemës së madhe të ndryshimit ose jo të kabinetit qeverisës. Brenda PD-së janë me dhjetëra njerëz që presin ende të “shpërblehen” për besnikërinë e tyre. Nëse kjo nuk do të ndodhë, ata kanë rrezik t’i vihen kundër, duke u bashkuar me Topin. Lexuesi duhet ta ketë vënë re se si, gati çdo ditë, në shtyp gjen intervista të deputetëve të PD-së të, cilët, duke lavdëruar Berishën dhe anatemuar Topin, kërkojnë ndryshime në qeveri! Ata po i tregojnë me kujdes Berishës, se po presin postet, në të kundërtën… Partia e re është aty…! Berisha, që është mjeshtër i politikës, e kupton këtë. Prandaj u detyrua të bëjë “të fortin” pas daljes së Presidentit.

Së dyti, emisioni “Fiks Fare” është shndërruar tashmë në një emision-institucion. Qytetarët më shumë i besojnë “Fiksit” se opozitës, dhe zyrtarët më shumë kanë frikë “Fiksin” se gjyqësorin! Berisha e di këtë! Ndaj preferoi të tregojë me “humor” (që të detyron të qeshësh jo me batutën, por me atë që bën batutën), se ai e ka nën “zap” Filipin!!! Sigurisht, një humor i tillë, pas fyerjeve Çakall, puçist etj., etj., tingëllon si lavdërim, gjë që tregon se sa shumë i ka djegur z. Berisha vajtja e z. Topi në këtë emision.

Së treti, nuk mund të mos vësh re se me sa zell Kryeministri iu vërsul Prokurorisë, duke ngritur në qiell e duke lavdëruar gjyqësorin (Presidenti kishte folur disa minuta më parë për gjyqësorin, duke i “tërhequr vëmendjen” për vendime korrekte e të pavarura, pasi “Fiksi” kishte treguar me fakte realitetin në gjyqësor). Edhe ky pozicion, aspak komod i Kryeministrit, duket i diktuar nga lufta brenda llojit. Do të isha ndalur në këtë përfundim sikur z. Berisha të mos e shtonte zullumin me një veprim tjetër: një vizitë në shtëpinë e z. Meta, pikërisht dy ditë para dhënies së vendimit nga Gjykata! Me këtë veprim, z. Berisha tregon gati haptas sa keq është në pozicionin e tij politik. Nuk ka precedent në botë që Kryeministri i një vendi t’i dalë në mbrojtje një politikani që gjykohet, dhe kur prokuroria ka dhënë një pretencë. Nuk mundet kurrë që Kryeministri të bëjë veprime të tilla, edhe sikur të jetë i bindur vetë se politikani është njeriu më i ndershëm në botë. Sepse një veprim i tillë është dukshëm një veprim ndikues, në një proces që duhet të jetë i pavarur!

Pse u detyrua Kryeministri të bëjë një veprim të tillë? Çfarë interesash ka ai me z. Meta, që trembet kaq shumë nga ndonjë vendim “jashtë kontrolli” të Gjykatës?

Pa i hyrë një analize shumëplanëshe, është e qartë se zullumi i bërë nga ai vetë tashmë po e mbyt. Ai e ka të qartë se me dënimin e z. Meta, nuk ka më LSI, dhe prishja e koalicionit do të thotë rënie e qeverisë. Por edhe nëse nuk do të bënte një veprim të tillë dhe të mos ndikonte tek Drejtësia, Berisha e di fort mirë se, “loja” nuk mbaron kaq shpejt. Z. Meta e di si luhet loja dhe e ka treguar me vepra këtë. Nëse z. Meta do dënohet, qoftë dhe simbolikisht, politikisht do ta ketë vështirë të mbahet në këmbë një parti ku emri i tij, është realisht emri i partisë, që ai vetë e krijoi, e paguan dhe e drejton. Pa Metën nuk ka LSI, pa Berishën ka dhe do të ketë PD, ashtu si ka dhe do të ketë PS pa Nanon, Ramën, Majkon etj., etj. Ja pse Berisha them se u “detyrua” të bëjë këto veprime zullumqare.

Ka dhe një arsye tjetër që na bën të mendojmë mbi zullumin e trashur të z. Berisha: zgjedhja e Presidentit!

Ai është në një situatë tejet të vështirë. Unë besoj se ai do të bëjë të pamundurën për të risjellë veten në Presidencë, sepse në të kundërtën, do t’i duhet të përballet me një luftë të hapur klanesh brenda PD-së, luftë nga e cila del fitues vetëm kundërshtari politik.

Sjellja e z. Berisha në këtë fillimviti duket jashtë parametrave të tij politikë. Pas performancës gati mjerane e qesharake në Francë, tashmë ai po mundohet të “sfidojë” të gjithë, brenda dhe jashtë vendit, duke treguar se ai është mbi të gjithë e mbi gjithçka e se do të bëjë të pamundurën që pushtetin të mos e lëshojë në duar të të tjerëve, që mund ta gjykojnë me të vërtetë!

Megjithatë, një fjalë e urtë thotë: Zullumi këputet duke u trashur…

Gazeta “Shqip”

Top Channel