Bandat e armatosura terrorizojnë Luzin e Madh

14/01/2012 00:00

Vetëm pak kilometra larg metropolit shqiptar, në Luz të Madh të Kavajës banorët përvec halleve të përditshme përballen me një situatë të pazakontë.

Grupe hajdutësh të armatosur e të maskuar veprojnë në zonë gjatë orëve të natës duke sulmuar stallat dhe  vjedhin gjënë e gjallë. Pasiguria për pronën dhe jetën ulet këmbëkryq në fshat sapo bie nata, ndërsa gjatë ditës të gjithë flasin si t’i bëjnë ballë situatës.

Banori Tahir Haka na tregoi ngjarjen e dy netëve më parë dhe si i mblodhi gëzhojat për t’ia dorëzuar inspektorit të policisë së zonës.

Shumica e familjeve në fshatin Luz i Madh sigurojnë jetesën nga blegtoria. Frika i ka pushtuar edhe ata që kanë vetëm një lopë, qumështin e së cilës e përdorin për konsum të përditshëm. I madh e i vogël bëjnë roje natën në mbrojtje të pronës që për ta është vetë jeta.

Më të moshuarit e fshatit thonë se situatë të ngjashme fshati nuk ka kaluar kurrë, madje as në 1997-n. Të gjithë ankohen, ngrenë zërin me shpresën se policia dhe prokuroria do të vihen në lëvizje dhe t’i shpëtojnë nga makthi që po kalojnë, në të kundërtën kërkojnë që vetë shteti t’i pajisë me armë dhe ata që nuk e kanë për të mbrojtur pronën dhe jetën.

Top Channel