Topi: PD-PS të bashkëpunojnë

13/01/2012 00:00

Një ditë pas asaj që u intepretua si krisje në marrëveshjen mes demokratëve dhe socialistëve për kalimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, Presidenti i Republikës Bamir Topi apeloi nga Erseka për vazhdimin e bashkëpunimit parlamentar.

“Aty ku zhvillohen ligje, aty ku zhvillohen debate dhe aty ku plotësohen mjaft nga rekomandimet e Komisionit Evropian, e bëjnë të detyrueshme që partitë politike të bashkëpunojnë intensivisht. Unë jam i bindur që ky bashkëpunim do të vazhdojë. Uroj që ky të vazhdojë dhe të mos ketë asnjë lloj krisjeje”, deklaroi Topi.

Duke marrë shkas edhe nga komentet e fundit të kryeministrit Berisha për angazhimin politik të presidentit, kreu i shtetit kërkoi të sqarojë njëherë e përgjithmonë këtë gjë.

“Besoj që do të jap një përgjigje shteruese. Deri në momentin që do të jem President i Republikës, unë do të vazhdoj që me shumë seriozitet, me shumë konseguencë të zbatoj të gjitha detyrimet kushtetuese të Presidentit të Republikës. Çdo lloj aludimi besoj që është i kotë. Çdokush, më pas, është i lirë në një vend demokratik që të ushtrojë veprimtarinë e vet ligjore, kushtetuese në funksion të dëshirave që ai ka vetë”, u shpreh Topi.

“Kështu që, nuk besoj se kjo pyetje gjen vend për t’u ripërsëritur si një lajtmotiv sa herë që unë kam takim me gazetarët. E thashë dhe besoj që do të vlejë deri në fund të mandatit tim. Është një përgjigje shteruese. Mos e bëni më këtë pyetje! Unë do të jem jashtëzakonisht i kujdesshëm që të mos bëj konfuzion sikurse aludojnë të tjerët, në pozitën time si President me të të gjitha detyrimet e mia. Pastaj, pas përfundimit, më takon mua ta them se çfarë do të bëj dhe ku do të jem. Ka ikur koha e monizmit”, nënvizoi ai.

Në Ersekë, Presidenti pas takimeve me pushtetarë lokalë, dekoroi në një ceremoni të vecantë Petro Nini Luarasin dhe Jani Vreton pas urdhërin “Nderi i Kombit” pas vdekjes, kurse instrumentistin Xhemal Dalipi me urdhërin Naim Frashëri i Artë.

Top Channel