“Shkrihet” shërbimi diplomatik

13/01/2012 00:00

Shqipëria do të ndihmojë Republikën e Kosovën me përfaqësim diplomatik
në ato vende ku diplomacia kosovare nuk është ende prezente.

Marrëveshjen per kete bashkëpunim e kanë firmosur dy ministrat e Jashtëm të Shqipërisë e Kosovës, Edmond Haxhinasto dhe Enver Hoxhaj. Kjo marreveshje do të shtrihet në ato vende ku njëra prej palëve nuk ka përfaqësi konsullore, përfaqësia e palës tjetër do të marrë përsipër përfaqësimin konsullor.

“Kjo është marrëveshja e 75-të, – tha ministri Haxhinasto,- që Shqipëria firmos me qerverinë kosovare pas shpalljes së pavarësisë të Kosovës”.

“Kemi rënë dakord të mbledhim sa më shpejt komisionin e përbashkët të bashkëpunimit ekonomik,iI cili do të shqyrtojë dhe trajtojë të gjitha ato çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me integrimin më të madh ekonomik të dy vendeve  në funksion të një tregtie të mirë, në funksion të përdorimit të resurseve, të infrastrukturës së përbashkët, për të zgjeruar tregun, i cili është gjithashtu i shumë  i rëndësishëm dhe i hapur për integrime të mëtejshme dhe me vende të tjera të rajonit”, tha Haxhinasto.

Ndërsa homologu nga Kosova, Hoxhaj u shpreh: Për ne është shumë kyç që ky vit fillon me Shqipërinë dhe aktivitetet tona në rajon,më qëllim që të përcjellim mesazhin që dy vendet tona kanë një bashkëpunim të shkëlqyer edhe politik edhe ekonomik edhe kuturor. Për ne është shumë kyç që ky bashkëpunim gjatë këtij viti të jetë edhe me i koordinuar, është jubileu i pavarësisë së Shqipërisë. Dhe padyshim që kur je në përvjetor të pavarësisë kjo flet për atë që të kemi mundësi të shtrojmë një pyetje se sa rrugë të gjatë kemi bërë, që të jemi këtu ku jemi, progresin  që kemi arritur këto 100 vitet e fundit”.

Në këtë vizitë të parë për 2012-tën në Shqipëri, shefit të diplomacisë kosovare i është rezevuar një pritje edhe nga presidenti Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha dhe lideri i opozitës Edi Rama.

Presidenti Topi pret ministrin Hoxhaj

Presidenti i Republikës, priti Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, zotin Enver Hoxhaj.

Presidenti Topi vlerësoi karakterin strategjik të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe bëri thirrje për forcim të tyre në të gjitha fushat. Topi njoftoi ministrin Hoxhaj se ndjek me vëmendje të vecantë të gjitha zhvillimet dhe arritjet në Kosovë.

Presidenti i Republikës njoftoi zotin Hoxhaj se shteti shqiptar ka dënuar dhe dënon fort aktet e dhunës të strukturave paralele serbe në Veri të Kosovës.

Nga ana e tij, ministri Enver Hoxhaj pasi falenderoi Shqipërinë për mbështetjen që po i jep Kosovës, informoi Presidentin e Republikës mbi strategjinë e Prishtinës për njohje të reja të pavarësisë së vendit.

Rama: Angazhim për integrimin e Kosovës

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama priti në takim Ministrin e Jashtëm të Kosovës, zotin Enver Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj e informoi kryetarin Rama mbi zhvillimet më të fundit në Kosovë, punën e madhe që ka bërë dhe bën qeveria e Kosovës për ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe konsolidimin e institucioneve funksionale, respektimin e minoriteteve, objektivat në procesin përmbyllës të pavarësisë së mbikëqyrur, si dhe normalizimin e situatës në veri të Kosovës.

Ministri Hoxhaj falenderoi kryetarin e PS për kontributin e vazhdueshëm që forca politike që ai drejton ka dhënë për të gjitha zhvillimet në Kosovë.

Ndërsa kryetari Rama shprehu vullnetin maksimal për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe shkëmbimeve, si dhe nënvizoi mbështetjen për të gjitha nismat që ka ndërmarrë qeveria e Kosovës.

Rama e siguroi ministrin e Jashtëm kosovar për një angazhim dhe përpjekje intensive për përshpejtimin e integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike. 

Top Channel