Ndihma ekonomike, s’ka fond për Tepelenën

13/01/2012 00:00

Në qytetin e Tepelenës 275 familje trajtohen më ndihmë ekonomike nga
bashkia për shkak të mungesës së të ardhurave, punësimit apo
disavantazheve të tjera sociale.

Këto familje sipas shefit të Financës së bashkisë Spiro Kora janë trajtuar për muajt e fundit të vitit vetëm me 85 për qind të fondit të parashikuar për mungesë të ardhurash.

Vetëm invalidët dhe të verbërit, sipas Korës, kanë marrë fondin e plotë të ndihmës gjatë janarit të këtij viti. Në qytetin e Tepelenës më shumë se 30 për qind e familjeve i plotëson të gjitha kriteret për t’u trajtuar me ndihmë ekonomike por ky lloj planifikimi për mbështetje nuk mund të mbështetet me fonde të Ministrisë. Megjithë varfërinë në rritje për qytetin, bashkia është detyruar të largojë nga skema e përkrahjes sociale gjatë vitit të kaluar 25 familje, ndërsa shkurtime priten edhe në planifikimin e sivjetshëm.

Pagesat e invalidëve, qeveria akuzon bashkitë

Qeveria ia përcjell pushtetit vendor përgjegjësinë, për skandalin e pagesave të personave me aftësi të kufizuara.

“Ne nuk kemi patur probleme me pagesat dhe mbështetjen e skemës. Kjo ka ardhur si problematikë, që disa njësi vendore nuk kanë programuar saktë për dy muajt e fundit. Ne dhe tashmë ju, po ta verifikoni,në të gjitha degët e thesareve nëpër rrethe janë akorduar të gjitha pagesat”, thotë ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale Spiro Ksera.

Në disa qarqe të vendit personat me aftësi të kufizuar nuk kanë marrë pagesat prej dy apo tre muajsh. Zoti Ksera thotë se kjo ka ndodhur edhe për një arsye tjetër.

“Vendimmarrje në shumë raste abuzive e këshillave komunalë dhe bashkiakë, për të fryrë skemat e ndihmës ekonomike, kur në shumë raste janë vendosur vetë anëtarët e Këshillave të komunave. Gjatë inspektimeve tona ne i kemi evidentuar, por ligji nuk na lejoi që ne sipas aksioneve të përfitonim heqjen e tyre nga skema, sepse ishte vetë Këshilli i Komunës apo i Bashkise, që vendoste për këto sanksione. Tashmë këtë vit, këtë vendimmarje do ta kenë Drejtoritë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror”, tha Ksera.

Ministri i Punës thotë se për shkak të këtij ngërci, qeveria tani do e ndryshojë ligjin dhe procedurat se si përcaktohen ata që përfitojnë asistencë si persona me aftësi të kufizuar, por pa dhënë detaje.

“Ne këtë vit në bashkëpunim e Ministrinë e Financave dhe me Ministrinë e Shëndetësisë, po rishikojmë mënyrën e vlerësimit të aftësisë së kufizuar dhe mënyrën e funksionimit të Komisioneve të Vlerësimit të Aftësisë së Kufizuar”, tha Ksera.

Top Channel