Mbytja e “Reina 1”, familjarët në pritje të ADN-së

13/01/2012 00:00

Prej afro një muaji, familjarët e tetë marinarëve të ekuipazhit të anijes së mbytur turke “Reina 1” janë në pritje të rezultateve të ADN-së së kufomave të paidentifikuara të gjetura në Adriatik.

Muajin e kaluar familjet e marinarëve të zhdukur u lehtësuan disi kur në kohë të ndryshme u njoftuan se në Shqipëri dhe Kroaci u gjetën 8 kufoma të paidentifikuara, tre prej të cilave në territorin detar shqiptar dhe pesë të tjera në ujërat kroate.

Shpresat e tyre për të pasur trupat e njerëzve të dashur u shtuan, ndërkohë që autoritetet turke i lajmëruan për marrjen e mostrave të gjakut për të përcaktuar ADN-në dhe identifikuar trupat.

Natën e 19 tetorit 2011, trageti “Ankara” i linjës Durrës-Bari u përplas me anijen e transportit të mallrave “Reina 1”, përplasje që rezultoi fatale për anijen e transportit e cila u mbyt në ujërat territoriale ndërkombëtare, në një thellësi 93 metra, përballë brigjeve të Durrësit.

Nga kjo tragjedi detare shpëtuan vetëm 2 nga 10 marinarët e ekuipazhit të anijes, ndërkohë që vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht fatkeqësinë e shkaktuar nga një gabim njerëzor.

Top Channel