Lame: Kritere për ndërtimet

13/01/2012 00:00

Eksperti për Planifikimin e Territorit Artan Lame ka reaguar menjëherë
pas takimit të kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha, i cili premtoi heqjen
e 16 kritereve për ndërtimet në Tiranë.

“Përveç faktit që kriteret përgjithësisht janë të përcaktuara në ligj, pra nuk mund të hiqen sipas dëshirës, kam frikë se pasoja direkte e këtyre lloj veprimeve, zakonisht është vetëm shtimi i çështjeve gjyqësore. Duke pakësuar nga një anë kriteret të cilat janë të domosdoshme ligjërisht, rrjedhimisht shoh që pasi vepra është ndërtuar apo kur fillon ndërtohet përfundon gjithnjë në televizor, ku e dëgjojmë që është në gjyq me fqinjin, sepse ka shkelur distancën apo ndonjë kriter tjetër”, thotë Lame.

Nga ana tjeter Lame i kerkon Bashes dhe administrates se tij te bejne kujdes me kerkesen e ndertuesve per heqjen e kriterit te lartesise se objekteve, ndonese nuk eshte e percaktuar me ligj. Sipas Lames ky kriter vendoset nga vete bashkia, ne baze te karakteristikes se qytetit.

“Ka disa të mira, e para kufizon presionin e ndërtuesve sepse duke patur një çati, një kufi të sipërm edhe administrata është e qetë, mbrohet nga korrupsioni, sepse e di që nuk mund të kalohet kjo lartësi edhe ndërtuesit presioni i ndërtuesve ndaj administratës pakësohet se e dinë që këtë lartësi nuk mund të kalojnë. Po ashtu ruan baraztrajtimin e ndërtuesve, sepse krijon lagje të gjitha të një karakteri të caktuar. Kuajt e betejës të kryetarit aktual kanë qenë zhbetonizimi i Tiranës dhe tani dëgjojmë që jo vetëm që nuk qenka shumë e betonizuar, por përkundrazi paska vend ende për t’u betonizuar, pra për të hequr kufijtë e lartësive për t’u ndërtuar më tej”, tha Lame.

Pas dhenies se lejeve te shfrytezimit per 11 objekte, Lame tha se duhet te behen verifikime, qe nese dikush  keto i ka bllokuar ne menyre te paligjshme, atehere duhet te pergjigjet.

“Ka një aspekt gati grotesk që dhënia e lejeve të ndërtimit, e lejeve të shfrytëzimit nga kryetari i Bashkisë, më kujton paksa Enver Hoxhën, kur ndante tapitë e tokës. Por ka edhe një aspekt shumë serioz; flitet se këto leje paskëshin qenë të bllokuara nga bashkia apo administrata paraardhëse, por është e pafalshme për kryetarin e bashkisë që të thotë fjalë të tilla pa dhënë një argument ligjor. Ose këto leje paskan qenë të bllokuara nga administratat paraardhëse dhe këtu është shkelur një ligj dhe dikush duhet të shkojë para përgjegjësisë penale ose e gjitha kjo është një show televiziv për të dhënë që atë që nuk e bëri paraardhësi, po e bën pasardhësi”, tha Lame.

Sipas Lames nje veprim i nxituar i kryetarit te bashkise per te joshur ndertuesit do te shkaterronte qytetin.

Një ditë më parë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha gjatë takimit me Shoqatën e Ndërtuesve ku ka dhënë lejet e shfrytezimit për 11 objekte si dhe u ka komunikuar një reduktim të numrit të dokumentacionit.

“Ne do të japim lejet e përdorimit për 11 objekte që përfaqësojnë 385 apartamente banimi, 385 familje të cilave deri më tani u është mohuar e drejta e tyre e ligjshme për të patur tapitë e shtëpive, si dhe përfundimin e shpejtë të 25 objekteve të tjera që përfaqësojnë afër 1 mijë apartamente banimi pra në total 1300-1400 apartamente të cilave me këto akte u hapet rruga për një hipotekim të shpejtë. Nga 34 dokumente që duheshin deri më sot për të përmbyllur procesin, ne e kemi thjeshtuar atë në 18 dokumente”, deklaroi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Top Channel