“Gjykatat, varrmihëse të drejtësisë”

13/01/2012 00:00

Fjala e kreut të opozitës Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar
socialist është përqendruar, në një sërë aspektesh, si në kulturën e
pandëshkueshmërisë, sic u shpreh ai duke ju referuar procesit gjyqësor
‘Meta’, zgjedhjet jo normale që zhvillohen në Shqipëri, integrimin
Europian, reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it,
krizën ekonomike,kremtimet e 100-vjetorit të pavarësisë dhe ngjarjen e
21 Janarit.

“Në daljen e parë publike në një intervistë, kryeministri ka deshmuar hapur egersine e pushtetit ekzekutiv ndaj drejtesise, mu ne vigjilje te seances gjyqesore, qe do te jape vendimin per ish-zevendesin dhe aleatin e tij pas nje skandali korrupsioni turperues për Shqipërinë . Ai ka goditur me nje gjuhe mafioze prokurorine, duke e akuzuar per mashtrim te parlamentit dhe ka paralajmëruar arkivimin e cështjes duke dhënë provën e radhës të kontrollit absolut mbi pushtetin e korruptuar gjyqësor. Pas 100 vjetesh pavarësi dhe dy dekadash liri, Shqiperia s’ka asnje barazi para ligjit dhe gjykatat e saj jane varrmihëse te drejtesise dhe ushqyese te kultures se pandeshkueshmerise”, tha Rama.

Edi Rama ka akuzuar qeverinë se është duke e përdorur integrimin si një fasadë propagandistike, pas të cilës gëlon padrejtësia.

“Ne e duam Shqipërinë si gjithë Europa, prandaj rezistuam dy vjet me mundime e sakrifica të mëdha për votën e lirë, duke marrë mbi vete edhe shumë baltë e mllefe gjithëfarë, në kushtet në kur askush nuk do ta besonte te e vërteta jonë e madhe që zgjedhjet në Shqipëri vidhen. Duam edhe një reformë zgjedhore që të adresojë domosdoshmërinë e rishikimit të sistemit, qoftë duke e prekur, qoftë duke mos e prekur Kushtetutën e vendit. Ne e duam Shqipërinë si gjithë Europa, prandaj do të vazhdojmë të punojmë intensivisht edhe për miratimin në kohën e parashikuar, por me cilësi të ligjeve që kërkojnë tre të pestat e votave të parlamentit. 100-vjetori i shtetit shqiptar e gjen Shqipërinë në krizë ekonomikë dhe me një qeveri që ka përgjegjësinë e rëndë të thellimit të vijueshëm të krizës. Barazi para ligjit, drejtësi sociale, shërbime publike të denja për një vend europian dhe një administrim europian të gjësë publike dhe me radhë gjithcka që sot mungon”, tha Rama.

Nga mbledhja e grupit parlamentar Rama ka premtuar se Partia Socialiste asnjëherë nuk do të largojë vëmendjen nga 21 Janari.

“Ne nuk do ta harrojmë kurrë 21 janarin, deri kur të bëhet drejtësia. Përsëris sot edhe në emër të tyre apelin per Prokurorinë që të mos tërhiqet nga presionet mafioze dhe të bëjë detyrën që i ngarkon Kushtetuta dhe ligji. 21 janari tjetër po vjen dhe vrasësit enden të lirë nën uniformën shtetërore, ndërsa urdhëruesit e tyre vazhdojnë të sundojnë dhe të vjedhin Shqipërinë, madje duke u krenuar për ato vrasje”, theksoi Rama.

Top Channel