Durrës, largohen 33 mijë udhëtarë

13/01/2012 00:00

Nga 1 janari i këtij viti afro 33 mijë udhëtarë janë nisur nga Durrësi
me tragete drejt Italisë. Pjesa më e madhe janë bashkëatdhetarë, të
cilët po rikthehen pas festave të fundvitit në vendet e Evropës
Perëndimore, ku jetojnë dhe punojnë prej vitesh.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Autoritetit Portual bënë të ditur se gjatë 13 ditëve të para të vitit janë nisur me tragete drejt porteve të Barit, Ankonës dhe Triestes afro 33 mijë udhëtarë, me 5182 autovetura gjithsej.

Sipas të njëjtave burime, e shtuna është dita më e ngarkuar. Tragetet janë shfrytëzuar nga 6198 udhëtarë me 1396 automjete gjithsej.Burimet shtuan se sipas të dhënave paraprake të agjencive, edhe në mbrëmje drejt portit të Barit do të lundrojnë pesë tragete, të cilat pritet të transportojnë drejt Italisë mbi 2500 udhëtarë.

Një pjesë e bashkëatdhetarëve, pas mbërritjes në portet italiane, vijojnë më tej udhëtimin me automjete ose trena drejt qyteteve të Evropës ku punojnë dhe jetojnë.

Top Channel