Qeveria e Kosovës e pret me shqetësim aktivitetin e 14 janarit të Lëvizjes Vetëvendosje duke vlerësuar se askush nuk mund ta marrë pushtetin me dhunë.

Plani operativ i Policisë së Kosovës parasheh parandalimin e cdo aktiviteti që bllokon pikat kufitare dhe rrugët magjistrale në drejtim të Merdares dhe Dheut të Bardhë.

Numri një i qeverisë kosovare e quan ‘model serb’ protestën që mban moton “Serbia nuk kalon”. Fjalori i kryeministrit Thaci ka qenë më i pasuruar se kurrë me fjalë fyese ndaj subjektit politik të Albin Kurtit. Ai e quajti atë “Vetëfundosje” ndërkaq duke iu referuar Aleancës Kuq e Zi citoi kryeministrin shqiptar Sali Berisha me termin “Faqe Zi”.

“Ne nuk dëshirojmë t’i shohim në Kosovë pamjet e janarit të shfaqura vitin e kaluar në vendet e rajonit”, sic u shpreh ai.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi u tregua i vendosur se do të zbatojë Kushtetutën e Kosovës duke mos lejuar bllokimin e rrugëve edhe pse një gjë të tillë nuk po realizohet prej muajsh në veri të Kosovës. Ai shtoi se nuk do të lejojë që kufijtë shtetëror të bien në duar të grupeve jo formale.

Qeveria e Kosovës u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos i bashkohen aktivitetit të 14 janarit të Vetëvendosjes, për të ruajtur sic tha ai, stabilitetin e vendit.

Top Channel