Subvencionet në bujqësi

11/01/2012 20:00

Qeveria ka marrë një vendim që ndryshon kriteret për të përfituar subvencione në bujqësi, por edhe tarifat përkatëse. Për disa kultura si ulliri apo vreshtat, masa e subvencionit që një fermer mund të përfitojë nga buxheti është ulur.

Për mbjelljen e ullinjve, masa e përfitimit që fermerët mund të marrin nga buxheti ulet nga 350 në 250 mijë lekë për hektarë, për format intensive dhe 180 mijë lekë për ato tradicionale.

Po kështu, edhe për arrorët tarifa e re ulet nga 350 në 250 mijë lekë, ndërsa për vreshtat nga 300 mijë lekë për hektar bëhet 250 mijë lekë për hektar.

Në të gjitha rastet fermerët mund të përfitojnë para nga buxheti vetëm nëse kanë mbjellë një sipërfaqe më të madhe se dy dynym të kulturës përkatëse.

Burime zyrtare thanë për Top Channel se ulja e masës së subvencionit për disa nga kulturat bëhet për shkak të kërkesave të shumta që ka patur nga fermerët, të cilat nuk mund të përballohen tërësisht nga buxheti.

Por paralelisht me uljen e masës së subvencioneve qeveria ka shtuar numrin e produkteve për të cilat fermerët mund të marrin para nga buxheti, si kultivimi i bimëve medicinale por edhe mbarështrimi i kërmillit.

Po sot qeveria miratoi një vendim, sipas të cilit fermerët mund të organizohen vullnetarisht në shoqëri bujqësore, një formë kooperative, por me koncepte moderne dhe menaxhim privat nga vetë pronarët fermerë.

Top Channel