Partia Socialiste do të propozojë një kandidaturë për president republike përmes një procesi përzgjedhës transparent, që do të synojë të ofrojë një emër gjithëpërfshirës dhe me konsensus sa më të gjerë politik.

Socialistët kanë sqaruar se ky proces nuk ka lidhje me mënyrën sesi u bë ai i Avokatit të Popullit. Mes dy momenteve, e vetmja barazi është transparenca përballë publikut dhe organizimi i një procesi jopërjashtues.

Ndërkohë që gjithcka, sipas zonjës Gjermeni, është e ndryshme, c’ka bën që dy proceset të mos kenë shenja barazie mes tyre.

“Partia Socialiste ka ngritur një grup pune dhe përzgjedhja dhe paraqitja e një kandidature presidenti konsensual, përputhet në fakt me vizionin që Partia Socialiste ka për përzgjedhjen e një figure, e cila do të mishërojë unitetin kombëtar, do të ketë një profil sipas Kushtetutës, por përputhet edhe me interesat kombëtare që Partia Socialiste ka pjesë të vizionit të saj dhe me aspiratën e integrimit europian, që ne kërkojmë të bëhemi pjesë”, thotë deputetja e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni.

Gjermeni nuk bën të ditur se cilat do të jenë kriteret që do të merren parasysh apo do të vihen si kusht nga grupi i punës në selinë rozë, por e vë theksin tek fakti që kandidatura do të jetë brenda të gjitha kornizave kushtetuese.

“Për këtë do të keni informacione në vazhdimësi, por ajo që dua t’ju garantoj është sërish një proces transparent, i cili do të vazhdojë për përzgjedhjen e kandidature me një profil, sipas Kushtetutës së Shqipërisë, duke mos përjashtuar askënd, duke i dhënë mundësi gjithkujt, të jetë pjesë e këtij procesi dhe përzgjedhjen më pas të një figure, e cila do të jetë figura që Partia Socialiste ofron ose propozon për institucionin e Presidentit”, nënvizon Gjermeni.

Megjithatë, qëndrimi i Partisë Socialiste duket larg gjetjes së frymës së përbashkët me mazhorancën. Mesazhi i kryeministrit Berisha ka qenë i qartë, se presidenti i Republikës do të zgjidhet nga Partia Demokratike, c’ka do të thotë se vështirë se do të merret parasysh kandidatura e paraqitur nga socialistët.

Top Channel