Organigrama e re, rotacion te Tatimet

11/01/2012 08:00

Administrata tatimore pritet të përfshihet së shpejti në ndryshime të forta të strukturës drejtuese. Organigrama e re do të prezantohet në ditët e ardhshme, nga ku mësohet se priten lëvizje të mëdha mes shefave të sektorëve e deri në nivel të lartë drejtuesish.

Sipas gazetës ‘Shqip’, aktualisht Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe degët rajonale të saj ka rreth 1 mijë punonjës dhe drejtohet sipas skemës me një titullar kryesor dhe pesë zëvendës, ku tre mbulojnë sektorë të veçantë, ndërsa dy të tjerë ushtrojnë funksionin e përgjegjësit për rajonin e Tiranës (ndarë në dy zona).

Burime nga Ministria e Financave bëjnë me dije se organigrama e re, e cila ndodhet në fund të vendosjes së posteve, parashikon një sërë lëvizjesh të rëndësishme, sipas një modeli të ri drejtimi dhe koncepti të detyrave, sikurse planifikon edhe shumë ndryshim kompetencash.

Megjithatë, më shumë se sa frymë të re në drejtimin e tatimeve me anë të modelit që pritet të miratohet, “kokat” e administratës thjesht sa do të bëjnë rotacion me njëri-tjetrin, pasi nuk priten largime të konsiderueshme. Nuk do të ketë lëvizje me heqje nga puna, të paktën në nivel drejtimi, sesa riformatim të posteve, duke pasur parasysh edhe aleancat partiake, ku LSI do të ketë rol të padiskutueshëm në piramidën drejtuese dhe ku pritet edhe angazhimi i PDIU, duke nisur nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm.

Administrata tatimore, prej shumë vitesh ka përfituar miliona dollarë financime me projekte të ndryshme të donatorëve, kryesisht nga amerikanët e USAID, me qëllimin e përmirësimit të mbledhjes së të ardhurave dhe luftës ndaj fenomeneve të korrupsionit, sikurse janë shpenzuar shumë fonde për ndryshimin e konceptit të punës nga ana e tatimorëve. Në fakt rezultatet e deritanishme tregojnë se mentaliteti i punonjësve të administratës tatimore nuk ka ndryshuar në raport me pritshmëritë.

Përjashto disa projekte në kuadër të përmirësimit të sistemit elektronik të deklaratave tatimore, ngritjen e strukturave të reja, si Këshilli Tatimor, apo Avokati i Tatimpaguesve, “axhenda” e të punuarit nuk ka ndryshuar, prandaj dhe të ardhurat në raport me planin ishin shumë më ulët.

Top Channel