Temperaturat e ulëta dhe bora rrezikojnë vitin shkollor

10/01/2012 00:00

Nxënësit dhe mësuesit ankohen pothuajse gjatë çdo sezoni dimëror për
mungesën e ngrohjes në shkolla. Kjo, për shkak se për vite me radhë në
këto institucione sistemi i kaldajave nuk është instaluar, por edhe në
rastet kur ai ka ekzistuar, nuk është vënë në punë.

Shqetësimi i mësuesve dhe nxënësve bëhet edhe më evident gjatë muajve janar dhe shkurt, kur temperaturat bien ndjeshëm, duke e kthyer zhvillimin e mësimit gati në një mision të pamundur për shkak të të ftohtit.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka paralajmëruar drejtuesit e shkollave në të gjitha rrethet e vendit të mbajnë nën kontroll situatën dhe nëse reshjet e dëborës do të vështirësojnë qarkullimin e mjeteve të transportit, të pezullohet mësimi. Përfaqësuesit e këtij institucioni bëjnë me dije se u kanë dërguar një udhëzim të brendshëm institucioneve të arsimit parauniversitar, që kur moti të përkeqësohet, të ndërpresin mësimin në mënyrë që të mos rrezikojnë shëndetin e nxënësve.

Por shëndeti i nxënësve nuk vihet në rrezik vetëm në rrugët e ngrira apo të bllokuara nga bora, por edhe nga klasat e ftohta. Ky shqetësim është prezent tashmë në Rrethin e Korçës. Me uljen e ndjeshme të temperaturave dhe reshjet e borës muajin e fundit, frekuentimi i shkollave, sidomos në fshatrat malore të rrethit të Korçës është bërë mjaft problematike. Vështirësia më e madhe e një ecurie normale të mësimit në shkollat e zonës së Korçës, qëndron tashmë tek ngrohja e klasave, pasi edhe furnizimi me dru zjarri duket se nuk ka qenë i mjaftueshëm.

Në disa komuna, që kanë përgjegjësinë për të siguruar ngrohjen me dru zjarri për periudhën e dimrit, rezulton se nuk janë marrë masat e duhura apo nuk kanë qenë të tilla sa të përballohet një situatë e një dimri të ftohtë dhe me ngrica. Në komuna të tilla si ajo e Pirgut apo Libonikut në Rrethin e Korçës, ka të dhëna se procesi mësimor nuk zhvillohet normalisht në këto ditë me dimër të ashpër për shkak se mungon ngrohja.

Prindër të nxënësve nga shkolla të këtyre komunave janë ankuar se fëmijët u kthehen në shtëpi përpara mesditës, sepse nuk mund të qëndrojnë në klasa për shkak të të ftohtit. Edhe pse në shumë raste fëmijët janë detyruar të marrin me vete dru zjarri nga shtëpia, nxënësit me kontributin e tyre nuk arrijnë të sigurojnë si duhet ngrohjen nëpër klasa.

“Mësuesit në këto kushte, detyrohen që të mos kryejnë një proces normal të mësimit me orë të plota, por të largojnë nxënësit nga shkolla për shkak të të ftohtit”, – na tregon një arsimtar i një shkolle 9-vjeçare në Komunën e Pirgut.

Pikërisht në këtë komunë, një shkollë në rikonstruksion e sipër si ajo e fshatit Çaushli, ka bërë që nxënësit e këtij fshati të shpërndahen nëpër shkollat pranë. Jo pak nxënës të fshatit Çaushli janë të detyruar të udhëtojnë në këmbë përmes të ftohtit dhe dëborës në shkollat e fshatrave pranë për të vazhduar procesin mësimor, ndonëse me orare të reduktuara.

Në Drejtorinë Arsimore të Rrethit Korçë thanë se ngrohja e shkollave është përgjegjësi e njësive të qeverisjes vendore si komunave apo bashkive. Por në kushtet e shkollave në rikonstruksion apo me mungesë ngrohjeje, qindra nxënës në Rrethin e Korçës kryejnë një proces formal mësimi.

Ndërkohë, në qytet shkolla 9-vjeçare “Sotir Gura” dhe shkolla e mesme “Raqi Qirinxhi” deri në përfundim të vitit të kaluar kanë qenë në rikonstruksion dhe nxënësit e tyre janë shpërndarë në shkolla të tjera ku kryejnë mësimin vetëm në orët e pasdites, në të ftohtë dhe pa kushte të përshtatshme. Sipas mësuesve, në kushtet në të cilat zhvillohet mësimi, pa ngrohje dhe pa hapësirë të mjaftueshme, është e pashmangshme që mësimi të bëhet i cunguar.

Top Channel