Pronarët: Tallen me ne, shtyrja e afatit një vit nuk mjafton

10/01/2012 00:00

Plani i qeverisë për ta shtyrë edhe me një vit afatin e trajtimit të
dosjeve të pronave përmes AKKP-së shikohet nga Shoqata e Pronarëve me
mjaft skepticizëm.

“Shtyrja e afatit vetëm me një vit është një farsë, një lojë në kurriz tonë, pasi dihet mirë që Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës e ka të pamundur që brenda kësaj kohe të trajtojë rreth 8 mijë dosje, kur në dy vjet e gjysmë nuk shqyrtoi më shumë se 1 mijë”, – thotë për gazetën “Shqip”, Agim Toro, përfaqësues i pronarëve.

Procesi i njohjes dhe kthimit apo kompensimit të pronës konsiderohet i komplikuar nga ana e ish-pronarëve, pas vendimit të qeverisë që solli shkrirjen e agjencive nëpër rrethe dhe përqendrimin e punës vetëm në Tiranë.

“AKKP ka një staf tepër të vogël në raport me volumin e punës. Me numrin e punonjësve i bie që të merren rreth 30 vendime në ditë, gjë që është e pamundur, pasi çdo rast duhet verifikuar në terren. Në rast se administrata nuk shtohet me punonjës, AKKP e ka të pamundur, jo një vit, por ndoshta edhe më shumë”, – tregon Toro, duke marrë si shembull rastin e ALUIZNI-t, administrata e të cilës ka gati 10 herë më shumë punonjës së Agjencia e Pronave.

Pronarët i bëjnë apel qeverisë të marrë masa në mënyrë që procesi të ecë sa më shpejtë. Toro shpjegon se jo e gjithë përgjegjësia i takon AKKP-së, pasi të tjera institucione, pjesë të procesit, nuk i përgjigjen në kohë agjencisë.

Vendimi për shtyrjen e afatit që pritet të merret së shpejti nga qeveria i jep mundësi atyre individëve që kanë një dosje të hapur në AKKP apo kanë ende probleme të pazgjidhura me pronën. Rishikimi i afatit deri më 31 dhjetor të këtij viti vjen në një kohë kur pranë Agjencisë ndodhen edhe të paktën 5 mijë dosje të patrajtuara. Bashkë me ndryshimin e ligjit, Ministria e Drejtësisë po shikon mundësinë e hartimit të strategjisë së re për kompensimin e pronave, problem kyç ky për vendin, i cili njëkohësisht po bllokon edhe investimet.

Top Channel