Pagesat e invalidëve, qeveria akuzon bashkitë

10/01/2012 00:00

Qeveria ia përcjell pushtetit vendor përgjegjësinë, për skandalin e pagesave të personave me aftësi të kufizuara.

“Ne nuk kemi patur probleme me pagesat dhe mbështetjen e skemës. Kjo ka ardhur si problematikë, që disa njësi vendore nuk kanë programuar saktë për dy muajt e fundit. Ne dhe tashmë ju, po ta verifikoni,në të gjitha degët e thesareve nëpër rrethe janë akorduar të gjitha pagesat”, thotë ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale Spiro Ksera.

Në disa qarqe të vendit personat me aftësi të kufizuar nuk kanë marrë pagesat prej dy apo tre muajsh. Zoti Ksera thotë se kjo ka ndodhur edhe për një arsye tjetër.

“Vendimmarrje në shumë raste abuzive e këshillave komunalë dhe bashkiakë, për të fryrë skemat e ndihmës ekonomike, kur në shumë raste janë vendosur vetë anëtarët e Këshillave të komunave. Gjatë inspektimeve tona ne i kemi evidentuar, por ligji nuk na lejoi që ne sipas aksioneve të përfitonim heqjen e tyre nga skema, sepse ishte vetë Këshilli i Komunës apo i Bashkise, që vendoste për këto sanksione. Tashmë këtë vit, këtë vendimmarje do ta kenë Drejtoritë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror”, tha Ksera.

Ministri i Punës thotë se për shkak të këtij ngërci, qeveria tani do e ndryshojë ligjin dhe procedurat se si përcaktohen ata që përfitojnë asistencë si persona me aftësi të kufizuar, por pa dhënë detaje.

“Ne këtë vit në bashkëpunim e Ministrinë e Financave dhe me Ministrinë e Shëndetësisë, po rishikojmë mënyrën e vlerësimit të aftësisë së kufizuar dhe mënyrën e funksionimit të Komisioneve të Vlerësimit të Aftësisë së Kufizuar”, tha Ksera.

Zoti Ksera bëri bilancin e punës së vitit 2011 për Ministrinë që ai drejton, duke vënë në dukje uljen e papunësisë dhe rritjen e ndihmës për shtresat në nevojë të shoqërisë.

Ligji i ri për aftësinë e kufizuar

Këshilli Kombëtar i Personave me Aftësi të Kufizuara reagon ndaj projektligjit të ri të qeverisë, i cili ndryshon statusin e para-tetrapelgjkeve dhe që sipas tyre redukton edhe mbështetjen financiare, që ata përfitojnë me ligjin aktual.

Sipas Sinan Tafajit, drejtuesi i Shoqates se Aftesise se Kufizuar, ndryshimet ligjore do t’i japin të drejtën qeverisë të përcaktoje shumën e subvencionit për të drejtën e qarkullimit, komunikimit dhe konsumit të energjisë elektrike, të cilat deri tani janë të përcaktuara me ligj të posacëm.

“Deri më sot ne i kemi të përcaktuara në ligj, me përqindje, me shifra të gjitha përfitime dhe si të tilla ato janë bërë të zbatueshme. Marrja në dorë e përcaktimit

të një shume nga ana e qeverisë, së pari këtë të drejtë e bën më të dobët dhe së dyti i jep kompetencë qeverisë të përcaktojë aq sa ajo do ta shohë të arsyeshme. Atëherë me këtë ndryshim do të shkojmë drejt asaj që të gjithë duhet të lëvizim njëlloj, të gjithë duhet të flasim dhe duhet të konsumojmë njëlloj”, thotë drejtuesi i Shoqatës.

Viti 2011 mbaroi me një surprizë të hidhur për shtresat më nevojtare të shoqërisë, invalidët e punës dhe personat me aftësi të kufizuar.

Prej disa muajsh në shumë rrethe të vendit qeveria nuk ka bërë pagesat e kësaj kategorie, e cila jeton vetëm falë ndihmës që merr nga buxheti. Lajmi konfirmohet edhe nga vetë Shoqata e i Invalidëve të Punës. Presidenti i saj Abdullah Omuri thotë se në disa rrethe si Durrësi apo edhe Puka invalidët kanë mbi dy muaj që nuk marrin pagesën nga buxheti, ndërsa në qarqet e tjera të vendit pagesat janë vonuar mbi një muaj. Teksa festa e fundvitit po afron, invalidet e punes dhe personat me aftesi te kufizuara, ka gjasa që këtë vit jo vetëm të mos festojnë, por të mbesin pa minimumin jetik të të ardhurave të domosdoshme për kurim apo shpenzimet e tjera të nevojshme. Shoqata thotë se nga komunikimet që ka patur me drejtues të Ministrise se Financave u është thënë se nuk ka fonde.

Top Channel