Fier, rritet çmimi i bukës

09/01/2012 08:15

Viti 2012 ka sjellë sërish për qytetarët fierakë rritje të çmimit të bukës. Vetëm pak ditë pas kalimit të festave, prodhuesit e bukës kanë rendur të përfitojnë. Konsumatorët ankohen tashmë se jo vetëm rritja e çmimit, një veprim i hapur, por edhe abuzimi me peshën vazhdon të mbetet një problem evident.

Gazeta ‘Shqip’ bën të ditur se të dielën buka 1 kilogramë është shitur në disa dyqane të qytetit me 130 lekë, por duke pasur parasysh që edhe me peshën është abuzuar, rritja e çmimit është edhe më e madhe.

Shtrenjtimi i një prej asortimenteve kryesore të çdo tryeze duket se po ua shton më shumë vështirësitë qytetarëve, të cilët shprehen se do nisin ta gatuajnë vetë bukën.

“Do marrë miell dhe ta gatuaj vetë bukën. Po i kthehemi periudhës së viteve të çlirimit, kur luftonin njerëzit për të mbijetuar. Nuk kemi mundësi ta blejmë çdo ditë bukën me 130 lekë, sepse nuk është vetëm kjo që na duhet të blejmë në një ditë. Blejmë edhe ujin, edhe qumështin e kështu me radhë. Por unë prapë them që ne po na shkatërrojnë institucionet që nuk funksionojnë dhe që nuk veprojnë në emër të ligjit. Ku e gjejnë të drejtën që të rrisin çmimin e çdo produkti, duke e justifikuar me rritjen e çmimit të karburanteve. Ç’lidhje kanë këto të dyja, buka me karburantet?”, ka deklaruar për gazetën “Shqip” Terezina Lushi, një qytetare e lagjes “8 Shkurti” në Fier.

Më shumë të prekur nga këto rritje të papritura janë pensionistët, të cilët nuk mund ta përballojnë jetën me shpenzimet më minimale.

Disa herë, nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, si dhe nga Bashkia e Fierit është kërkuar që autoritetet përkatëse të frenojnë marshin e rritjes së çmimit të bukës, por çfarë është edhe më e rëndësishme i kanë kërkuar organit tatimor që të merret me kontrollin e peshës për t’i dhënë fund abuzimit të tregtuesve të bukës.

Top Channel