Bilanci 2011, qeveria i rriti çmimet, tregtarët i ulën

09/01/2012 08:00

Një pjesë e mallrave të prodhuara në Shqipëri pësuan ulje drastike çmimesh gjatë vitit të kaluar, së bashku me mallrat që nuk i përkasin nevojës së përditshme, ndërkohë që një pjesë e mallrave pësuan rritje drastike të çmimeve, kryesisht si pasojë e taksave të reja të vendosura nga qeveria. Lajmi bëhet i ditur nga statistikat e detajuara të Indeksit të Çmimeve të Konsumit të publikuara nga INSTAT-i.

Instituti i Statistikave njoftoi se në dhjetor, IÇK pësoi rritje minimale prej 1.7 përqindësh, një nga inflacionet më të ulëta të shënuara gjatë viteve të fundit në Shqipëri. Gazeta ‘Shqip’ publikon se grupi i ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, që përbën 37 për qind të të gjithë konsumit të shqiptarëve, pësoi rritje minimale prej 1.2 përqindësh. Por zëri “zarzavate përfshirë patatet” shënoi rënie drastike prej 17 përqindësh në krahasim me dhjetorin 2010, ndërkohë që çmimi i bukës dhe drithërave shënoi rritje të konsiderueshme prej 7.4 përqindësh. Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi rënien drastike të zarzavateve, por dihet se mallrat e pazëvendësueshëm si buka, mishi e bulmetet shënuan rritje ndërsa mallrat e konsumit fakultativ, si zarzavatet, pësuan rënie. Zarzavatet janë përgjithësisht prodhim vendi në Shqipëri dhe çmimet e ulëta të shitjes së tyre, ndonëse janë lajm i mirë për konsumatorët e zonave urbane, janë një lajm i hidhur për prodhuesit fshatarë.

Rënie gjatë vitit të kaluar pësoi edhe grupi “Veshje dhe këpucë” me 2.4 për qind, ku dihet se gjatë vitit të kaluar, shqiptarët qenë shumë ngurues në blerjen e këtyre mallrave, gjë që shtyu shumë dyqane drejt ofertave me çmime të ulëta. Këpucët për burra pësuan rënien më të madhe me 5.8 për qind, ndërsa veshjet për fëmijë nuk pësuan ulje.

Në anën tjetër, disa mallra si cigaret, ilaçet dhe shërbimet shëndetësore, pësuan rritje të konsiderueshme dhe kjo ishte veçanërisht pasojë e rritjes së taksave nga qeveria. Kështu, duhani i kushtoi shqiptarëve 15.5 për qind më shtrenjtë se një vit më parë, pasi akciza për duhanin u rrit nga 50 në 70 lekë për paketë në janar të vitit 2012.

Grupi i Shëndetit, për të cilin shqiptarët harxhojnë 6.1 për qind të buxhetit familjar, shënoi rritje prej 4.1 përqindësh. Çmimet e medikamenteve dhe produkteve të tjera farmaceutike u rritën me 4.9 për qind, pasi qeveria vendosi Tatim mbi Vlerën e Shtuar për ilaçet.

Çmimet e naftës dhe benzinës shënuan gjithashtu rritje, për shkak të taksës së re të vendosur nga qeveria me pesë lekë për litër nga shtatori i vitit 2011.

Qeveria dhe taksat e saj qenë përgjegjëse për një pjesë të madhe të rritjes së çmimeve në vitin 2011. Në mungesë të rritjes së taksave, inflacioni mund të ishte negativ. Inflacioni i ulët është shoqërues i shpeshtë i krizave ekonomike, gjatë të cilave konsumi ulet duke ushtruar presion mbi tregtarët dhe prodhuesit për uljen e çmimeve.

Top Channel