Anëtarët e lëvizjes Vetëvendosje nga e hëna kanë nisur të mbledhin emrat e studentëve dhe qytetarëve të cilët do të bashkohen në aksionin për bllokimin e dy pikave kufitare me Serbine, që është paralajmëruar me datë 14 të këtij muaji.

Sipas VV-së, do të formohen pika të grumbullimit të emrave dhe kontakteve ashtu që më 14 janar, në mënyrë të organizuar, të arrihet sukses në bllokimin e pikave kufitare në Merdare dhe tek Dheu i Bardhë.

VV bën thirrje që, t’i thuhet ndal qeverisë së Kosovës, që sipas tyre po shkel vendimet e Kuvendit. Duke iu bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në aksion, ata ftojnë studentë dhe pedagogë të Universitetit të Prishtinës, Prizrenit, Tiranës, Tetovës, që të mbrojmë, sic thonë ata, Republikën dhe që t’i tregohet Serbisë që në Merdarë dhe tek Dheu i Bardhë nuk kalon!

“Kosova është në rrezik! Që prej ditës kur në mënyrë të hapur e formale qeveria e vendit është vendosur mbi institucionin më të lartë vendimmarrës, Kuvendin e Republikës, Kosova nuk është republikë. Një qeveri që i mbivendoset Kuvendit ashtu që të kënaqë kërkesat e një shteti që nuk na njeh e na lufton, e cila krijon kushte për të hyrë brenda nesh një shtet armik siç është Serbia, duhet ndalur. Qeveria e Kosovës nuk po e zbaton vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për reciprocitet politik, ekonomik e tregtar me Serbinë që nuk na njeh e na lufton, prandaj më 14 janar duhet të ndalen të dyja, edhe Serbia edhe qeveria”, deklaroi Rron Gjinovcit nga radhët e Vetëvendosjes.

Duke vlerësuar që studentët e Kosovës historikisht kanë luajtur rolin e tyre aktiv në zhvillimet politike, Vetëvendosje iu bën thirrje studenteve të UP-së që të jenë po kaq aktivë më 14 janar, kur përpara popullit është shkelur ajo që është më me rëndësi, Republika.

Mes të tjerash, VV iu bën thirrje profesorëve, akademikëve dhe të gjitha organizmave studentore, që më 14 janar të bashkohemi në bllokimin e pikave kufitare Merdarë e Dheu i Bardhë.

Top Channel