Nafta, tri arsyet e rritjes së çmimit

08/01/2012 08:15

Vendosja e taksës së re, kursi i këmbimit i dollarit në raport me lekun dhe konjuktura e bursave, janë tre faktorët që ndikojnë te vendosja e çmimit final në tregun vendas të karburanteve.

Në një artikull të së përditshmes “Shqip”, Shoqata e Hidrokarbureve, përmes “BiznesAlbania”-s, e argumenton rritjen e çmimit me shkaqe që nuk lidhen nga vetë tregtarët e shumicës dhe pakicës, por nga faktorë të tjerë që zënë një peshë prej rreth 97 për qind.
 
Taksat

Fillimi i vitit i ka gjetur drejtuesit e mjeteve të transportit me një karburant të rritur me 3-4 lekë për litër, ndërsa prej gushtit, me të paktën 8.4 lekë për litër, ose 5.5 për qind më tepër.

Rritja e fortë erdhi si pasojë e taksës së re të vendosur nga qeveria për karburantet, në kuadër të rishikimit të ligjit për “mjetet e përdorura”.  

Nga data 24 gusht (ditë kur hyri në fuqi ligji i ri), deri në 31 dhjetor 2011, nafta dhe benzina do të shiteshin me 5 lekë për litër më shumë, sipas vendimit të qeverisë, kurse nga data 1 janar, taksa bëhej 7 lekë për litër.

Kjo do të thotë se çdo litër karburant e shitur arkëton në mënyrë të drejtpërdrejtë në arkën e shtetit, aktualisht 8,4 lekë (përfshirë TVSH-në). “Kjo rritje çmimi e pasqyruar në tabelat e shitjes të shoqërive me pakicë, nuk ka asnjë ndikim në financat e kompanive, nuk shton asnjë për qind fitimin e tyre. Ajo arkëtohet ashtu siç grumbullohet gjatë shitjes”, – thotë Shoqata e Hidrokarbureve.

Bursat

Rritja reale e çmimit të hidrokarbureve është ajo që vjen nga konjuktura ndërkombëtare si dhe nga kursi i këmbimit të monedhës amerikane me lekun.

“Duke filluar nga 3 janari, në të gjitha bursat ndërkombëtare ku kuotohet nafta, është vënë re një rritje e çmimit. Mesatarisht kjo rritje shkon rreth 50-60 USD/ton”, – shprehen nga shoqata.

Sipas tregtarëve, kjo rritje në bursë, ende nuk është reflektuar në tregun e brendshëm të shitjes me pakicë të karburanteve, për shkakun e thjeshtë se “kompanitë importuese kanë ende gjendje malli nga blerjet e fundvitit dhe në respektim të kërkesës ligjore për rezervën e sigurisë”.

Megjithatë, ky ndryshim konjuktural i bursës, sigurisht që do të pasqyrohet në çmimin final. Parashikimet flasin për një çmim të karburantit që mund të arrijë deri 200 lekë për litër, nga 185 lekë që shitet aktualisht, kjo për shkak se konfliktet në Lindjen e Mesme dhe reduktimi i prodhimit në vendet e Afrikës së Veriut po japin ndikime tepër negative.

Nëse një fuçi nafte sot shitet për 105 dollarë, ekspertët gjykojnë, duke u nisur nga një sërë faktorësh, se do të arrijë gjatë 2012-s në 120 dollarë, kurse në 2015-n, në 200 dollarë.

Kursi i këmbimit

Një faktor mjaft i rëndësishëm që duhet marrë në konsideratë në analizën e kostos së një litri karburant të shitur, ka të bëjë edhe me kursin e këmbimit. “Krahasuar me vitin e kaluar, dollari amerikan ka një kapërcim të frikshëm”, – bën të ditur shoqata.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se dollari në raport me një vit më parë është rritur me 4.5 për qind, ndërsa nga muaji gusht me gati 11 për qind, ose nga gati 96 lekë, në 108 lekë (. (e premte, kursi zyrtar).
 
“Biznesi është i detyruar të blejë me këtë vlerë dollarin në tregun e brendshëm për të realizuar importet e domosdoshme. Kjo kosto në kursin real të këmbimit valutor, detyrimisht vlerësohet në koston finale të produktit të shitur”, – thotë Shoqata e Hidrokarbureve.

Top Channel