Moti i keq, problematika në vend

08/01/2012 00:00

Qendra Kombëtare Operative pranë Ministrisë së Brendshme ka deklaruar se në të gjithë vendin rrugët nacionale dhe rurale janë të zhbllokuara nga reshjet e borës të rëna dy ditët e fundit, por problematike paraqitet situata në qarkun e Kukësit dhe Shkodrës.

Drejtori i Qendrës Operative, Trifon Llupo, tha se sipas të dhënave më të fundit nga rrethet, kanë mbetur akoma të bllokuara nga bora 5 komuna në veri të vendit.

“Në qarkun e Shkodrës është problematic aksi Selcë-Vermosh, në komunën e Kelmendit dhe po vazhdohet puna për lehtësimin e qarkullimit. Në Kukës kanë vështirësi komunat Shishtavec, Zapod, Arrën dhe Kalis”, shprehet Llupo.

Nga të dhënat në terren mësohet se gjatë paradites të së dielës, në disa akse problematike qarkullimi i automjeteve është normalizuar, por në to lëvizet akoma me vështirësi.

“Të gjitha makineritë borëpastruese janë në punë. Vështirësi ka në rrugën turistike Korçë-Dardhë. Temperaturat e ulta po shkaktojnë vështirësi, port ë gjitha mjetet borëpastruese janë në gadishmëri”, shton Llupo.

Drejtori i Qendrës Operative Kombëtare tha se akset problematike po vëzhgohen nga patrullat e policisë rrugore, të cilët nuk do të lejojnë automjetet të lëvizin pa zinxhirë.

Top Channel