Euro, “pikiatë” në tregjet botërore

08/01/2012 15:55

Kriza e pazgjidhur e borxheve europiane vazhdon të godasë besimin e investitorëve tek euro, e cila po dobësohet me ritme të shpejta në tregjet botërore të këmbimit.

Një euro po këmbëhet aktualisht me 1.272 dollarë, që është niveli më i ulët në 16 muajt e fundit. Euro vazhdon të dobësohet ndaj dollarit prej gati 5 javësh me radhë, që është cikli më i gjatë negativ në dy vitet e fundit.

Parashikimet janë që monedha europiane do të qëndrojë në nivele të ulëta. Ekspertët thonë se edhe kjo mund t’i interesojë edhe vetë Bashkimit Europian, pasi një monedhë e dobët rrit eksportet dhe nxit rritjen ekonomike. Që do të thotë se për vetë Europën dobësimi i euros më shumë se një problem reflekton një zgjidhje.

Situata e trazuar në tregjet ndërkombëtare të këmbimit është reflektuar pjesërisht edhe në tregun e brendshëm. Dollari amerikan po shitet sipas kursit mesatar të Bankës së Shqipërisë me 108 lekë, niveli më i lartë që nga gushti i 2010-ës. Ndërsa euro, edhe pse në tregjet botërore është dobësuar ndjeshëm, ndaj lekut vazhdon të ketë një kurs më të qëndrueshëm. Sipas Bankës së Shqipërisë, aktualisht një euro këmbehet me 138.14 lekë. Arsyeja kryesore se pse euro po qëndron e fortë ndaj lekut duket e lidhur me flukset tregtare të vendit.

Dy muajt e fundit deficiti tregtar është thelluar me ritme të larta. Pjesa dërrmuese e tregtisë së Shqipërisë është me Bashkimin Europian, çka do të thotë se përkeqësimi i bilancit tregtar rrit edhe më shumë kërkesën për euro, në një kohë kur oferta për këtë monedhë po tkurret për shkak të rënies së investimeve të huaja dhe dërgesave të emigrantëve.  

Top Channel