Tiranë, hetimet për sheshin

07/01/2012 00:00

Këshilltarët socialistë në Këshillin Bashkiak i kërkojnë prokurorisë të vijojë më tej hetimet e nisura për ndryshimin e projektit dhe punimeve, sipas tyre të paligjshme  që u kryen në sheshin “Skenderbej” nga Bashkia.

“Në besojmë se kjo procedurë e nisur në emër të transparencës, nuk do të jetë një bllof juridik si skandali i abuzimit më të madh financiar në historinë e këtij vendi, të rrugës që e njollosën me korrupsionin qeveritar. I themi sot Prokurorisë së Përgjithshme, në respekt të zërit të qytetarëve, se veprimi i kundërligjshëm me sheshin ‘Skënderbej’ nuk është vetëm dëm financiar, por edhe shpërdorim i detyrës. Nuk mundet askush që të veprojë mbi ligjin dhe të ndryshojë një projekt të tërë, i miratuar me transparencë të plotë, pa kaluar më parë në asnjë instancë ligjore”, deklaroi kreu i Këshilltarëve Socialistë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi.

Këshilltarët socialistë shprehen të shqetësuar dhe për imazhin e krijuar tek studiot  fituese që kishin fituar projektin, si dhe vendet e Bashkimit Europian që ato përfaqësonin.

“Vlerësojmë gjithashtu shqetësimin e ngritur në mënyrë publike nga përfaqësuesi i vendit të presidencës së Bashkimit Europian për dëmin e jashtëzakonshëm që po bëhet përmes ndryshimit të projekteve duke detyruar studiot e mirënjohura ndërkombëtare të shmangin angazhimet e tyre në Tiranë. Ky shqetësim na bën të gjithëve të jemi të vëmendshëm për të kërkuar transparencë, për të mos lejuar brenda mundësive që na jep ligji dhe në respekt të mandatit të qytetarëve, të anashkalohet interesi i komunitetit”, u shpreh zoti Dalipi.

Sipas Dalipit brenda hapësirave që u jep ligji, këshilltarët socialistë nuk do të lejojnë  që abuzimi, sipas tyre të bëhet praktikë pune e bashkisë duke shkaktuar jo vetëm dëme financiare, por duke dëmtuar edhe imazhin ndërkombëtar.

Top Channel