Shqiptarët kursyen edhe për festat

07/01/2012 08:25

Shqiptarët janë futur në krizë të fortë konsumi dhe kjo tashmë vërtetohet përmes statistikave zyrtare, raportoi dje INSTAT, sipas të cilit inflacioni arriti në 1.7 për qind, nivel ky i paparë prej vitesh.

Gazeta “Shqip” raporton se konsumatorët kanë ulur shpenzimet, në raport me një vit më parë, pikërisht në periudhën e festave, shenjë kjo aspak e mirë për të ardhmen ekonomike të vendit, ndërsa sakaq konfirmohen shqetësimet e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.

Ulja e çmimeve ka ardhur për shkak të kërkesës së pakët në treg për mallra dhe shërbime. INSTAT deklaroi dje se, Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin dhjetor 2011, arriti 111.4 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007, duke shënuar një rritje prej 1 përqindësh krahasuar me muajin e mëparshëm.

“Ndryshimi vjetor në muajin dhjetor është 1.7 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 3.4 për qind”, raporton Instituti i Statistikave.

Më konkretisht, në krahasim me muajin nëntor, indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi një rritje prej 2.3 përqindësh, kur një vit më parë regjistronte një rritje edhe më të lartë.

Brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 14.6 përqindësh vërehet në nëngrupin “Zarzavate përfshirë patatet”. Këtu INSTAT përmend rritjen e çmimit të specave dhe kastravecëve me mbi 50 për qind, patëllxhanëve me 17.5 për qind, preshit me 12 për qind dhe domateve 9.2 për qind, gjithnjë në raport me një muaj më parë.

Në dhjetor, çmimet në nëngrupin “fruta” shënuan një rritje prej 2.3 përqindësh, ku mund të veçohet rritja e çmimit të dardhëve me 9.4 për qind dhe mollëve me 8.1 për qind, kurse portokalli pësoi ulje.

Në raport me vitin e kaluar, dhjetorin 2010, perimet dhe frutat janë shitur me çmime më të lira, por pavarësisht kësaj, konsumatorët janë treguar më të matur.

Duke u ndalur te produktet e tjera, kemi rritje të lehtë te grupi i ushqimeve “qumësht, djathë dhe vezë” me rreth 1.3 për qind, “peshk” 1 për qind, “mish” 0.8 për qind, “pije joalkoolike” 0.3 për qind.

Rritje tepër modeste pësoi edhe grupi i artikujve veshje dhe këpucë me 0.1 për qind. Sa i takon mallrave të luksit, ku futen pijet alkoolike dhe duhani, ndikimi i taksës së re vijon të japë efekte negative te çmimet, pasi çmimet në dhjetor u rritën me 0.5 për qind në raport me muajin nëntor 2011. Në këtë grup produktesh, ndikimin më të madh e dhanë pijet alkoolike, me një rritje prej rreth 1.2 përqindësh.

Top Channel