Duke marrë shkas nga të thënat troc, realiteti i përshkruar gri në politikën dhe shoqërinë shqiptare, të renditura në formën e një epikrize kombëtare nga ambasadori danez në Tiranë në intervistën për revistën JAVA, kreu opozitës Edi Rama  ka publikuar një editorial me titull “Alarmi i Presidencës Daneze”.

Rama i ka cilësuar mendimet e ambasadorit, vëndi të cilit mban presidencën e BE-së, si befasuese, me një gjuhë të Europës troç si mbase asnjëherë në këto vite të trazuara për Shqipërinë.

Në fillim të editorialit kryesocialisti Rama shkruan:

“Eshtë koha për të ndryshuar radikalisht politikën shqiptare në funksion të Europës si shpirt, si vizion, si mision, si sjellje publike e sigurisht edhe qeverisëse, përfshi detyrimin tonë të papërmbushur tash njëzet vjet për Shqipërinë Europiane që na duhet si shqiptarë pa dallim. Për shtetin shqiptar që në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë është larg së qëni shtet në shërbim të qytetarëve shqiptarë”.

Rama shpjegon përpjekjet e opozitës gjatë tre viteve të fundit, por thekson se terreni i betejës polike ishte i disfavorshëm.

“Ne, opozita shqiptare, Partia Socialiste në krye të saj, bëmë sa mundëm jo sa deshëm, pasi u vodhëm në zgjedhjet e qershorit 2009 e u vramë në protestat që kulmuan me masakrën e 21 Janarit, për t’u rivjedhur përsëri në zgjedhjet e majit 2011 në Tiranë, ditën për diell. Pa asnjë fije dyshimi po të mos kishim rezistuar siç rezistuam,  po të mos e kishim bojkotuar parlamentin e zgjedhjeve të vjedhura, po të mos kishim përdorur çdo mjet demokratik që patëm në dispozicion pavarësisht dukjes “joeuropianiste” të aksionit tonë politik në ndonjë moment, apo kritikave rëndom cinike ndaj nesh, Shqipëria sot s’do kishte më asnjë shans për të shpëtuar së shpejti nga diktatura e faktit të kryer”.

Modelin qeverisës të kryeministrit Berisha kreu opozitës e paralelizon me modelin bjellorus të demokracisë së kontrolluar nga pushteti për të cilin Rama thekson se është  diskredituar edhe pse vazhdon të mbetet projekti i pandërprerë politik i pushtetit të sotëm të Shqipërisë.

“Ky projekt s’ka asnjë të ardhme europiane, sepse Europa s’ka vend për një Shqipëri ku zgjedhjet s’përmbushin standardet e BE-së, ku vjedhjet qeveritare të pasurisë e të parasë publike janë rutinë dhe ku proceset gjyqësore për qeveritarët e kapur me presh në duar janë komedi, ku qeveria vret me pushkë protestuesit dhe ku gjykatësit vrasin drejtësinë njësoj siç vret Garda e Republikës qytetarët”.

Përballë deklarimeve tronditëse të kryediplomatit danez, Rama shpalos edhe njëherë rrugëdaljen e propozuar nga opozita.

“Shansit të plotë që është krijuar për ta shpëtuar Shqipërinë nga diktatura e faktit të kryer ne, Partia Socialiste, duhet, duam dhe do t’i japim mundësinë të bëhet realitet përmes një projekti politik europian, diametralisht të kundërt me projektin politik të qeverisë. Përmes një projekti politik që është në embrionin e programit tonë të ri “Për një Rilindje Shqiptare”.

Edi Rama e mbyll editorialin e parë për vitin 2012  me këto fjalë:

“Kështu e dëgjoj unë alarmin e presidencës daneze të BE-së për gjendjen e sotme të Shqipërisë dhe për çka duhet të bëjmë për sa na takon ne, opozites shqiptare, Partise Socialiste në radhë të parë, që e nesërmja të mos i ngjajë të sotmes e që më herët se vonë, Shqipëria të ndahet nga rruga e stërmundimshme e të shkuarës ku ka mbetur peng”.

Top Channel