Tri herë president, apo tri herë kryeministër?!

06/01/2012 00:00

Skënder Minxhozi – Ja një dilemë e vështirë për këdo që ka moshën për të votuar. Por që
para se të votojë, duhet të ketë përpara një copë letër, ku të shkruhet
emri i kandidatit për president apo për kryeministër.

Dhe nëse bëhet fjalë për Sali Berishën, të dyja këto mundësi janë të hapura. Teorikisht dhe praktikisht.

Në krye të herës ja vlen të peshohet “korsia” kryeministrore – ajo më e lehta dhe më e mundshmja gjithashtu. Nëse zoti Berisha vendos të kandidojë për një mandat të tretë qeverisës, nuk ka asnjë diskutim se ai do të jetë sërish kryeministër i vendit. Në këtë rast, panorama e pushtetit në vend do të ndryshojë pak ose aspak. Prej muajsh kreu i ekzekutivit ka afishuar dëshirën për t’i fituar bindshëm zgjedhjet e ardhshme. E kjo do të thotë, sine qua non, që ai do të jetë me siguri në krye të fushatës. Pasi çdo përballje e njërit prej delfinëve të tij me Ramën do të sillte thuajse me siguri matematike, një rrëzim nga pushteti të PD.

Mandati i tretë qeverisës është një tabu e vjetër sa vetë demokracia shqiptare. Nuk e arriti dot vetë Berisha në 1996, i iku nga duart Nanos në 2005, e mbetet të shihet se ç’do të ndodhë pas një viti e gjysmë. Komentet e tanishme të opinionit publik, analistëve politikë dhe diplomatëve të huaj japin një peizazh të turbullt. Opsionet janë të gjitha të hapura, ashtu siç mbetet e hapur edhe mundësia që kryeministri të vendosë t’u shkojë ose jo në derë zgjedhësve për një mandat të tretë qeverisës. Skeptikët thonë se qeveria aktuale s’ka më as ide e as njerëz, se Berisha po i drejtohet rënies së pashmangshme dhe se viti 2012 do të jetë me kosto të lartë politike për mazhorancën. Optimistët e pushtetit replikojnë me tezën e dobësisë së Ramës, përçarjes së të majtës dhe rolit sabotues të LSI-së. Ata e llogarisin pak më shumë se një shi vere Bamir Topin dhe mes rreshtave, i besojnë fort efektit “sugjestionues” që qeveria aktuale ka mbi votat dhe votuesit. Një përplasje humoresh, tifozerish politike dhe opinionesh gjithfarësh.

Ashtu siç ndodh në fakt, edhe me identikitin e presidentit. Sot, me atë që shohim dhe dëgjojmë nga podiumi i politikës, zgjedhja e Berishës kryetar shteti për të tretën herë mund të interpretohej në këto mënyra kryesore: së pari, si një strategji daljeje e butë për vetë Berishën, nga mejdani i politikës. Një president si ky i sotmi, na e thonë kompetencat e rishikuara kushtetuese të vitit 2008, është një zyrtar i lartë me një impakt të ulët publik. Kështu shkruhet në letër, por kujdes! Kjo vlen kur presidenti nuk quhet Sali Berisha. Gjithsesi, nëse zoti Berisha ulet për të tretën herë në atë poltron, nga shumëkush që e ndjek politikën si hobi apo si pasion, kjo do të shihej si një shenjë e qartë se vetë Berisha po i drejtohet pensionit. Lëshimi i timonit të qeverisë në duart e një pasardhësi do të ishte shenja e qartë se rotacioni politik po afrohet dhe se kreu i panelit po mendon për imunitetin e tij, më shumë sesa për fatet e koalicionit në fuqi.

Berisha nuk ka humbur asnjë rast për të thënë se mazhoranca do ta zgjedhë vetë kreun e shtetit. Për çudi, edhe disa prej ndërkombëtarëve i janë bashkuar, nga pozita të tjera, me shumë gjasë, këtij përcaktimi kryeministror. Ambasadori amerikan, Arvizu ka qenë ndër ata që kanë shprehur rezerva rreth mundësisë së zgjedhjes të një presidenti konsensual. Çka mund të supozohej, ndër të tjera, edhe si ngritje topi për një president të fortë si Berisha, me kushtin e kamufluar, që kjo ofertë të pasohej nga largimi i të djathtës nga pushtetit në vitin 2013. Natyrisht, kjo është një hipotezë dhe si e tillë duhet marrë me gjithë rezervën e duhur. Për të mos folur më pas edhe për pengesën ligjore, edhe ajo mjaft e debatueshme, sipas të cilës zoti Berisha i ka konsumuar dy herët që parasheh Kushtetuta për t’u zgjedhur në postin e presidentit. Meqë vetë Kushtetuta u miratua pasi ai i kishte konsumuar mandatet e tij presidenciale, ky rast duket i ngjashëm me precedentët e disa prej krerëve të shteteve ballkanike, të cilët u përpoqën të ruanin postin e presidentit duke shfrytëzuar trukun kushtetues në fjalë.

Vetë Berisha ka deklaruar më shumë se një herë se nuk do ulet më në poltronin e kryetarit të shtetit. A duhet ta besojmë? Në fakt, jo edhe aq. Ai na ka mësuar në 20 vjet të bëjë kryesisht atë që ka thënë se s’do ta bëjë. Megjithatë, ambicia e kryeministrit për të reklamuar qysh tani zgjedhjen e kreut të shtetit nga lista që mban në xhepin e kostumit, mund të jetë fare mirë edhe një investim për fitoren e zgjedhjeve të 2013, pa lëvizur nga posti që mban aktualisht. Sepse në konceptin e tij të hershëm, një shtet i kontrolluar në çdo pore të tij, sjell me vete një qeverisje më të qetë. Një koncept i diskutueshëm ky, por që Doktori duket se vazhdon ta besojë.

Mbetet edhe pak kohë për të parë se cili do të jetë “vendi i punës” për vitet në vazhdim për Sali Berishën. Një vend pune, cilido qoftë ai, ku Berisha ka konsumuar energji të pafundme, pozitive, por shumë më tepër negative.

Përtej pasojave direkte që zgjedhja në fjalë do të ketë mbi zhvillimet politike në Shqipëri, fakti se cili do të jetë realisht i pari i vendit deri në 2013 duket i zgjidhur tashmë. Ai do të quhet Sali Berisha. Zotëria në fjalë është në gjendje ta çojë qoshen aty ku ulet vetë, tamam si Qezari. Veç në ndodhtë që të bjerë nga kali i qeverisjes me votat e shqiptarëve. Në atë rast, zor se streha modeste e presidentit do të ishte një zgjidhje. Politikisht, kuptohet…

Gazeta “Shqip”

Top Channel