Qeveria “lyp” borxh tek BB

06/01/2012 00:00

Qeveria duket se është detyruar të pranojë situatën e vështirë të
financave publike dhe ka pranuar të hyjë në negociata me Bankën Botërore
për një kredi që do të përdoret edhe për mbështetje buxhetore.

Lajmin e konfirmoi zyra e Bankës Botërore në Tiranë. Përmes një njoftimi për shtyp ajo njoftoi se Banka Botërore është angazhuar tashmë me qeverinë në përgatitjen e një kredie për mbështetjen e politikave të zhvillimit që lidhen me qeverisjen dhe konkurrueshmërinë, e cila mund të përdorë financime shtesë për të forcuar programin e reformave ekonomike.

Në njoftim thuhet gjithashtu se qeveria e Shqipërisë do të jetë në gjendje të përdorë mbështetjen shtesë nga Banka Botërore, për të reduktuar dobësitë fiskale dhe për të ruajtur stabilitetin fiskal dhe makro-ekonimik të vendit, si dhe për të bërë të mundur vijueshmërinë e rritjes ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës.  
Aktualisht të dy palët janë në në fazën fillestare të diskutimit mbi përdorimin e portofolit të rritur të financimit. Një grup ekspertësh të Bankës Botërore do të vizitojë Shqipërinë javën e ardhshme për të disktuar dhe identifikuar së bashku me partnerët e qeverisë, fushat specifike për zgjerimin e mbështetjes për reformat ekonomike, përgatitjen për goditjet e jashtme, stabilitetin dhe rritjen ekonomike.

Top Channel ka mësuar se bëhet fjalë për një kredi mbi 100 milionë dollarë. Megjithatë mbete ende e paqartë, se në cilat fusha do të përdoren saktësisht fondet dhe se cfarë kushtesh banka do i kërkojë qeverisë në këmbim të kësaj mbështetje financiare. Kjo nuk është hera e parë që qeverisë i ofrohet mbështetje buxhetore nga donatorët. Edhe më parë Fondi Monetar Ndërkombëtar disa herë ka ofruar mbështetje buxhetore për Shqipërinë, por gjithmonë është refuzuar nga qeveria për të shmangur kushtet e forta që vendosin donatorët për uljen e borxhit dhe disiplinën fiskale. Tashmë mbetet për t’u parë nëse edhe Banka Botërore do të propozojë të njëjtat kushte.

Top Channel