Harta e tregtisë, importet i largohen BE-së

06/01/2012 08:10

Tregtarët shqiptarë e zgjeruan hartën e vendeve nga ku blejnë mallra, duke iu larguar partnerëve tradicionalë në zonën e Bashkimit Europian, ndërkohë që sa i përket eksporteve, varësia e vendit tonë ndaj BE-së u shtua në vitin 2011, raportoi të premten gazeta “Shqip”.

Të dhënat mbi tregtinë e jashtme të publikuara nga INSTAT dhe që përfshijnë periudhën kohore nga janari në nëntor të vitit të kaluar, tregojnë se Shqipëria importoi 63.8 për qind të mallrave nga Bashkimi Europian gjatë vitit 2011, nga 65 për qind që importoi në vitin 2010. Në krahun tjetër, 72.2 për qind e eksporteve shqiptare shkuan drejt BE-së gjatë vitit të kaluar, nga 70.2 për qind në vitin 2010.

Pesha e Greqisë në importet e Shqipërisë pësoi reduktim të ndjeshëm nga 12.9 për qind e totalit në vitin 2010, në 10.6 për qind të totalit në vitin e kaluar. Importet nga vendet përtej Bashkimit Europian u rritën nga 35 për qind e totalit në 36.2 për qind. Importet nga Kina shënuan rritjen më të ndjeshme.

Italia dhe Greqia mbeten partnerët kryesorë tregtarë në importimin e mallrave me përkatësisht 30.2 dhe 10.6 për qind të totalit të importeve. Në vend të tretë dhe të katërt vijnë Kina dhe Gjermania, pasuar nga Turqia në vend të pestë.

Tek eksportet, Italia është partneri i parë me më shumë se gjysmën e eksporteve, pasuar në distancë të largët nga Kosova dhe Turqia, të cilat kanë secila nga 7.5 për qind.

Shqipëria është vendi më i lidhur me Bashkimin Europian sa i përket tregtisë së jashtme në të gjithë Europën Lindore, përfshirë këtu edhe shumë nga vendet e reja anëtare.

Shqipëria importoi 3.48 miliardë euro mallra gjatë periudhës janar nëntor 2011 dhe eksportoi 1.29 miliardë euro mallra. Deficiti tregtar i Shqipërisë ishte 2.19 miliardë euro.

Një pjesë e madhe e defiçitit tregtar paguhet me paratë e sjella nga emigrantët apo me fitimet nga sektori i turizmit. Një pjesë paguhet drejtpërsëdrejti me borxhe të tërhequra nga kreditorët e huaj, nga qeveria apo bankat.

Top Channel