Bllokohet rruga për në Dajt

06/01/2012 00:00

Era e fuqishme ka rrëzuar disa pemë duke bërë të pakalueshme rrugën drejt malit të Dajtit. Për fat të mirë, në momentin e rënies së pemëve nuk ka patur automjete që udhëtonin pak metra larg qendrës së fshatit Linzë.

Rruga ka mbetur e bllokuar për disa orë me radhë, ndërkohë që shpejtësia e erës vazhdoi të rritej.

Pak automjete mbetën të bllokuara duke udhëtuar nga Dajti drejt kryeqytetit, ndërsa me itinerar anasjelltas, të gjitha automjetet u kthyen prapa duke mos e preferuar më udhëtimin drejt malit.

Të bllokuar kanë mbetur edhe autobusët e udhëtarëve të zonave përreth, të cilët e vazhduan rrugën drejt shtëpive të tyre në këmbë.

Në ndihmë të udhëtarëve, për zhbllokimin e situatës, për një kohë shumë të gjatë nuk erdhi asnjë prej përfaqësuesve të institucioneve shtetërore dhe në segmentin rrugor ku ndodhi bllokimi nuk gjendej asnjë prej policëve të qarkullimit rrugor për të ndaluar udhëtimin e automjeteve.

Moti tejet i vështirë, me një temperaturë -5 gradë dhe me erëra të fuqishme, e bën të pasigurtë udhëtimin drejt Dajtit nëse koha nuk do të përmirësohet.

Top Channel