Berisha: Shqipëria, model suksesi

06/01/2012 00:00

Gjatë qëndrimit në Paris, ku po merr pjesë si i ftuar nderi i qeverisë franceze për të diskutuar rreth sfidave ekonomike të vitit 2012 dhe modelit ekonomik shqiptar, kryeministri Sali Berisha u shpreh i kënaqur që metropolet kryesore të botës dhe institucionet e rëndësishme financiare e konsiderojnë të suksesshëm modelin ekonomik të Shqipërisë.

Sipas kryeministrit Berisha, ky model ka bërë të mundur që në më pak se 6 vjet të ardhurat e vendit të rriten me 7 miliardë dollarë, të garantohet rritja ekonomike dhe në dy vitet e fundit eksportet të dyfishohen, ndërsa investimet e huaja të rriten me 316 për qind.

“Ky model, i bazuar në lirinë ekonomike, taksat e ulëta, qeverinë e vogël, përmirësimin e klimës së biznesit dhe zhdukjen e pengesave burokratike, u konsiderua këtu dhe konsiderohet kudo, siç u theksua dje, si një model suksesi”, deklaroi Berisha.

Pjesë e rëndësishme e diskutimeve në Paris ishin edhe drejtimet themelore që duhet të marrin ekonomitë e vendeve në situatën aktuale. Dy më të rëndësishmet prej tyre janë energjia e rinovueshme dhe teknologjia.

“Krahasuar me pikëpamjet e idetë që u mbrojtën, gjej që modeli shqiptar është në përputhje të plotë me këto drejtime të reja, parashikime e vizione të zhvillimit ekonomik dhe shndërrimin e Shqipërisë në një vend të zhvilluar”, u shpreh Berisha.

Duke konsideruar korrupsionin si origjinën e të gjitha të këqijave të një vendi të lirë, kryeministri shprehu pikëpamjen se vetëm lufta e përhershme kundër këtij fenomeni mund të konsolidojë të drejtat e njeriut, mund të luftojë varfërinë dhe të përmirësojë klimën e biznesit.

Në sektorin publik, tha kryeministri Berisha, vendosja e transparencës duhet kryer në çdo hap përmes procedurave dixhitale, që përbëjnë sipas tij, ndoshta një nga mjetet më efikase kundër korrupsionit.

Kryeministri Berisha, kur bëri prezantimin e modelit liberal ekonomik të ndjekur nga qeveria e tij, shkoi më tej kur pashtroi ambicjen që Shqipëria të konkurojë edhe me vende si Kina, fuqia e dytë ekonomike në botë.

Top Channel