Ndërkombëtarët, dy standarde nga Tirana në Budapest?

05/01/2012 00:00

Andrea Stefani – Thoni se demokracia liberale është e mundur pa ndarje kufizim dhe
balancim pushtetesh, t’ju them se ndërkombëtarët po ndjekin një politikë
pro lirisë dhe demokracisë në Tiranë.

Sepse nuk po e kritikojnë fare tendencën e qartë të Kryeministrit Berisha për kapjen e të gjitha pushteteve. Por edhe nëse dikush pohon se demokracia dhe liria janë të mundura me përqendrim të pushteteve të shtetit në një dorë të vetme, atëherë përsëri ndërkombëtarët do të ishin në gabim. Këtë herë jo në Tiranë, por në Budapest, ku po kritikojnë Kryeministrin hungarez pikërisht për fuqizim të pushtetit të tij në kurriz të pavarësisë së gjykatave dhe të mediave. Përse ndërkombëtarët sillen ndryshe në Shqipëri dhe ndryshe në Hungari? Mos vallë tashmë besojnë se parimet universale të lirisë dhe demokracisë janë të pazbatueshme në “vendin e shqiponjave”?

* * *

Këto ditë opozita politike në Hungari nxori në shesh rreth 100 mijë njerëz për të kërkuar rrëzimin e Kryeministrit Orban, që duke përdorur tiraninë e shumicës në Parlament, arriti të miratojë një Kushtetutë dhe disa ligje që zvogëlojnë forcën e institucioneve të pavarura, ndërsa rrisin pushtetin e Kryeministrit. Dhe kritikat nuk kanë ardhur vetëm nga opozita politike, por edhe nga komuniteti ndërkombëtar, nga Bashkimi Europian dhe nga SHBA, që për të disatën herë i kanë cilësuar reformat e Orban si deformuese për demokracinë. Ndonëse Orban i ka neglizhuar me arrogancë këto kritika dhe paralajmërime, ato kanë qenë shumë të forta dhe të thelluara. Madje në fund të muajit dhjetor, vetë sekretarja e Shtetit e SHBA-së, Hillari Klinton, i dërgoi një letër Kryeministrit hungarez duke i shprehur shqetësimin për ndryshimet kushtetuese në Hungari, si dhe për kërcënimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor, lirisë së medias, si dhe transparencën e qeverisë. Televizioni CCN raportonte se sekretarja Klinton kishte shprehur shqetësimin dhe nxiti Kryeministrin Orban “t’i përkushtohej pavarësisë së gjyqësorit, shtypit të lirë dhe transparencës së qeverisjes”. Aq të papajtueshme me demokracinë dhe lirinë janë hapat e ndërmarra nga Kryeministri hungarez, sa edhe Mark Palmer, ambasadori amerikan në Budapest, deklaroi se “Përjashtimi i Hungarisë nga BE-ja nuk është më diçka e pamendueshme”, duke nënkuptuar nëse ai vend nuk do të tolerohet nëse nuk mbetet demokraci.

* * *

Protesta mbi pesëorëshe e rreth 100 mijë njerëzve, e zhvilluar nga opozita e bashkuar, i ka rrënjët edhe te këto kritika të komunitetit ndërkombëtar, kundër reformave autokratike të një Kryeministri, reforma që duke përqendruar pushtetet në duart e tij dhe duke fshirë ndarjen reale të pushteteve, në fakt rrënojnë opsionin e një demokracie reale në Hungari. Janë këto zhvillime të kuptueshme dhe në përputhje me filozofinë e Perëndimit për përhapjen dhe mbrojtjen e sistemeve politike të themeluara dhe të mbajtura në këmbë me anë të parimeve liberalo-kushtetuese. Çudi do të ishte sikur ndërkombëtarët BE dhe SHBA të mos reagonin me shqetësim ndaj aventurës autokratike të Kryeministrit Orban. Një çudi që për fat të keq po ndodh në Tiranë, në kryeqytetin e një vendi shumë më të vogël dhe më të varfër se Hungaria, por që gjithsesi ka shprehur aspiratë për të kaluar nga komunizmi në demokraci dhe jo nga komunizmi në autokratizëm. Krejt ndryshe nga premtimet e bëra për mbështetjen e demokracisë, të pavarësisë së gjyqësorit, të lirisë së medias, krejt ndryshe nga rasti hungarez, ndërkombëtarët kanë heshtur dhe po heshtin ndaj presioneve që Kryeministri Berisha ka ushtruar mbi institucionet e pavarura. Krejt në kundërshtim nga sjellja e tyre në rastin hungarez, ndërkombëtarët mburrën si një “konsensus historik” ndryshimin e Kushtetutës në prill të vitit 2008, ndryshim që ka sanksionuar rënien e pushtetit gjyqësor, të prokurorisë apo të institucionit të Presidentit të Republikës në duart e Kryeministrit. Edhe pse konstitucionalistë shqiptarë nga më të shquarit kanë argumentuar se me amendimet e bëra Kushtetuta e Shqipërisë ka rrëshqitur drejt autokratizmit, edhe pse vetë lideri i opozitës Edi Rama i ka pranuar tashmë ndryshimet e bëra në bashkëpunim me Berishën si një gabim të rëndë, edhe pse kritikat për një reformë të tillë absurde nuk kanë pushuar në media, ndërkombëtarët kanë bërë veshin shurdh. Megjithëse zëra jo të paktë kanë kërkuar korrigjimin e Kushtetutës për të risjellë në përmbajtjen e saj kufizimin dhe balancimin e pushtetit qeveritar, si dhe pavarësinë e gjyqësorit, ambasadorët e Perëndimit kanë futur kokën në “ferrën” e reformës zgjedhore dhe bëjnë sikur nuk e kanë mendjen për të tjera gjëra. Por reforma zgjedhore ka të bëjë vetëm me zgjedhjet, kurse kufizimi, balancimi dhe transparenca e qeverisjes me anë të pushteteve të pavarura si drejtësia dhe media, kanë të bëjnë me lirinë. Përse këto parime të lirisë qenkan të shenjta dhe nuk lejohet të dhunohen në Budapest, ndërsa mund të përdhunohen në Tiranë sa herë t’i teket Kryeministrit shqiptar? Është një pyetje që vetë ndërkombëtarët mund t’i japin përgjigje. Dhe duhet t’i japin përgjigje.

Gazeta “Shqip”

Top Channel