Gripi, humb jetën 21-vjecarja

03/01/2012 00:00

21-vjecarja Blerina Balla, banuese në Komunën Qendër në Librazhd ka gjetur vdekjen nga shkaqe ende të paqarta, ndërsa organet kompetente kanë nisur hetimet e rastit.

Paraprakisht dyshohet se shkak për vdekjen e saj ka qenë një grip. Burime nga spitali i Librazhdit bëjnë me dije se Blerina Balla është shtruar në urgjencë me diagnozën e gripit toksik dhe simptomat kanë qenë temperaturë e lartë, gjendje shoku pa puls dhe pa tension.

Shefi i spitalit të Librazhdit, Gjergji Dhono thotë se vajza ka mbërritur në spital në gjendje mjaft të rëndë.

“Pacientja paraqitet në gjendje të rëndë, pa puls, pa tension, me cianozë direkt tek mjeku i rojes e cila i ka filluar mjekimin. Është mbajtur rreth 1 orë dhe pasi është bërë konsulta me diagnozën gjendje toksike, status febril, shok toksik dërgohet urgjent në spitalin rajonal të Elbasanit”, thotë doktori Dhono.

Menjëherë pas humbjes së jetës së pacientes, prokuroria dhe policia gjyqësore kanë nisur hetimet, por familjarët sipas mjekut Dhono, nuk kanë lejuar kryerjen e autopsisë.

Top Channel