Gjirokastër, zhbllokohen akset kombetare

03/01/2012 00:00

Gjirokastër, përmirësohet situata në akset rrugore në jug të vendit. 80 % e akseve kombëtare rezultojnë aktualisht të kalueshme për mjetet e të gjitha tonazheve.

Kështu rreth 400 km rrugë kombëtare brenda Qarkut të Gjirokastrës janë pastruar dhe hapur për mjetet gjatë kësaj të premteje.

Akset më problematike, si ai i Qafë-Muzinës që lidh Gjirokastrën me Sarandën janë të kalueshme në të dy kahet po ashtu edhe segmentet Gjirokastër-Tepelenë dhe Gjirokastër–Përmet. Rruga është e lirë edhe drejt pikëkalimit kufitar të Kakavijës.

Sipas drejtorit të Ndërmarrjes së Rrugëve, Paqësor Aliko për të përballuar situatën janë përdorur dy mjete borëpastruese rreth 20 punëtorë, ndërsa janë kontraktuar 3 subjekte private që kanë zhbllokuar situatën në Qafën e Muzinës.

Aktualisht mbetet i bllokuar vetëm aksi kombëtar Petran Çarshovë për shkak të vështirësisë së terrenit.

Moti pritet të përkeqësohet sërisht në fundjavë dhe fillimin e javës së ardhshme. Në dispozicion të emergjencave të mundshme thotë Aliko do të vendosim fondin rezervë për emergjencat dhe do të kontraktohen të tjera subjekte private, njëherazi pritet të vihen në funksion të sigurisë së rrugëve rreth 30 ton kripë.

Ndërkaq të gjitha rrugët rurale vazhdojnë të mbeten të bllokuara në Përmet dhe Tepelenë. Disa komuna në Gjirokastër janë të kalueshme vetem me zinxhirë. Probelmatike kanë qenë edhe lagjet karakterisëtike të qytetit ku kalimi i mjeteve kryhet me vështirësi.

Top Channel