Topalli feston në Shkodër

30/12/2011 00:00

Pas javës së fëmijëve në Parlament, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ishte të premten në Shkodër për të festuar me fëmijët e këtij qyteti.

Në vigjilje të Vitit të Ri, nxënësit më të mirë të shkollave të Shkodrës u mblodhën për të festuar në mjediset e kinema “Millenium”.

Kryetarja e Kuvendit u uroi fëmijëve një Vit të Ri sa më të gëzuar. Zonja Topalli uroi në veçanti edhe të gjithë mësuesit duke i falenderuar për përkushtimin në punën e tyre.

Topalli me fëmijët e gazetarëve

Të enjten, kryetarja e Kuvendit nuk e mbylli vitin me me konferencën e shtypit për gazetarët, por vendin e pyetjeve dhe përgjigjeve të gazetarëve e ka zënë festa për femijët e tyre.

Megjithëse të zhurmshëm dhe të rrëmujshëm si prindërit, femijët e gazetarëve kanë krijuar në sallen e seancave plenare një atmosferë të ngrohtë dhe festive ditën e enjte, duke kënduar këngët tradicionale të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, madje edhe kanë performuar koreografinë e këngëve hit.

Festa me fëmijët e ka nxjerrë Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, nga rutina me të cilën shfaqet çdo të enjte në seancat plenare me deputetët apo në takimet e zakonshme me gazetarët.

Duke lexuar përralla me fëmijet, duke u përpjekur t’ia jape vetë secilit prej fëmijëve dhuratën e Vitit të Ri dhe duke treguar vëmendje për çdonjërin që i pëlqen të fotografohet, Jozefina Topalli është kujdesur për çdo detaj të festës për ta bërë atë sa me të gëzueshme.

Dhe për këtë nuk duket se do të marrë ndonjë kritikë nga prindërit gazetarë, për të cilët gëzimi i fëmijëve ishte lajmi i vetëm në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.  

Top Channel