Qeveria “ndëshkon” invalidët

30/12/2011 00:00

Viti 2011 po mbaron me një surprizë të hidhur për shtresat më nevojtare të shoqërisë, invalidët e punës dhe personat me aftësi të kufizuar.

Prej disa muajsh në shumë rrethe të vendit qeveria nuk ka bërë pagesat e kësaj kategorie, e cila jeton vetëm falë ndihmës që merr nga buxheti. Lajmi konfirmohet edhe nga vetë Shoqata e i Invalidëve të Punës. Presidenti i saj Abdullah Omuri thotë se në disa rrethe si Durrësi apo edhe Puka invalidët kanë mbi dy muaj që nuk marrin pagesën nga buxheti, ndërsa në qarqet e tjera të vendit pagesat janë vonuar mbi një muaj. Teksa festa e fundvitit po afron, invalidet e punes dhe personat me aftesi te kufizuara, ka gjasa që këtë vit jo vetëm të mos festojnë, por të mbesin pa minimumin jetik të të ardhurave të domosdoshme për kurim apo shpenzimet e tjera të nevojshme. Shoqata thotë se nga komunikimet që ka patur me drejtues të Ministrise se Financave u është thënë se nuk ka fonde.

Deklaraten e Shoqates se Invalideve e konfirmon edhe kryetari i bashkise se Durresit, Vangjush Dako, i cili tha se qeveria nuk i ka derdhur fondet nga buxheti. Nderkohe qe Ministria e Financave thotë se ajo e ka alokuar të gjithë fondin e përcaktuar nga ministria e punës dhe cështjeve sociale për këtë kategori që në fillim të vitit sipas programit buxhetor. Vonesat në pagesat për personat me aftësi të kufizuar marrin trajtën e një skandali, gati cnjerëzor, në kohën kur qeveria po kryen shpenzime të tjera, të cilat nuk janë aq urgjente sa ndihma për mbijtesë. Pak ditë më parë qeveria tha se do të ndajë këtë javë 8 milionë dollarë si kompesim për ish-pronarët, ndërkohë që për personat me aftësi të kufizuar, ata të cilët mbijetojnë vetëm në sajë të ndihmës që marrin nga buxheti, pagesat shtyhen.    

Top Channel