Ngricat në Gjirokastër, 40 të dëmtuar nga rrëshqitjet

30/12/2011 00:00

Më shumë se 40 persona në 7 ditë kanë marrë mjekim dhe shërbime
ortopedike pranë spitalit rajonal ‘Omer Nishani’ në Gjirokastër.

Dëmtimet që lidhen kryesisht me fraktura , thyerje të gjymtyrëve dhe goditje në kokë kanë ndodhur prej rrëshqitjeve në rrugët e ngrira në të gjitha lagjet e qytetit. Sipas mjekur ortoped Murat Kaci të dëmtuarit vijnë nga të gjitha lagjet dhe në disa raste pacientët janë dërguar edhe në Tiranë për shkak të dëmtimeve të rënda në tru.

Mjeku Murat Kaci bën me dije se cdo ditë në repartin e urgjencës paraqiten pacientë me fraktura ndërsa bën thirrje për pastrimin e rrugëve në qytet të cilat këtë fundviti kanë rezultuar të rrezikshme.

Dëbora që mbuloi qytetin një javë më parë në shumicën e lagjeve të sipërme të qytetit por edhe në trotuarët kryesorë është shndërruar në akull. Bashkia e qytetit ka pastruar vetëm akset kryesore duke lënë masive të të tëra dëbore në anë të rrugëve apo sheshit kryesor. Vetë banorët thonë se ju kanë munguar mjetet për të zhvendosur akullin ndërsa situata nuk po njeh përmirësimim për shkak të temperaturave që gjatë natës shkojnë deri në -8 gradë C.

Top Channel