Elbasan, vrasje në qendër të qytetit

30/12/2011 21:15

Një vrasje me armë zjarri ka tronditur qytetin e Elbasanit mbrëmjen e së premtes.

40-vjeçari Ilir Rexhepi është qëlluar me pistoletë gjatë momentit që ka qenë duke hipur në automjetin e tij, i parkuar anës rrugës, në qendër të qytetit, pranë lagjes “Vullnetari”.

Burime nga policia bëjnë me dije se ende nuk janë identifikuar personat që kanë qëlluar mbi viktimën, por deri më tani është bërë i mundur shoqërimi i 15 personave në Komisariatin e Policisë.

Dyshohet se personat, ende të paidentifikuar, e kanë ndjekur viktimën dhe pasi Rexhepi ka dalë nga një lokal, një breshëri plumbash u derdh në drejtim te tij. Mësohet se autorët janë larguar me një mjet në drejtim të paditur dhe se policia është vënë në ndjekje të tyre.  

Ndonëse 40-vjeçari është transportuar urgjentisht për në spitalin Kirurgjik të Elbasanit, pas ndërhyrjes ai ka gjetur vdekjen.

Viktima ishte presidenti i një shoqërie të Policisë private në qytet dhe njëkohësisht është vëllai i ish-policit të vrarë dy vjet më parë Roland Rexhepi, i njohur ndryshe si Doda.

Gjyqi i Dodës ende nuk ka përfunduar, ndonëse ka ndodhur që në 22 Korrik të 2009. Praprakisht, dyshohet se pista e vrasjes ka qenë për hakmarrje, por zyrtarisht ende nuk është konfirmuar asgjë.

Top Channel