Topi: 21 janari, situata më e rëndë

29/12/2011 19:25

Presidenti Bamir Topi deklaroi për radion DW, se një ndër ngjarjet më negative të vitit që po lëmë pas ishte protesta e 21 Janarit. “Në sensin kronologjik ajo që nuk do të dëshiroja të ndodhnin, janë ngjarjet e 21 janarit. Ngjarje që krijuan një situatë shumë të rëndë në Shqipëri dhe besoj se krijuan atë kusht paraprak që të mos merrej në konsideratë si një element pozitiv në integrimin e Shqipërisë në BE. Pra mosmarrja e statusit të vendit kandidat për në BE”, tha kreu i shtetit.

I pyetur për cështjen e korrupsionit Topi theksoi se lufta  ndaj këtij fenomeni duhet të përballohet nga të gjitha institucionet.

“Kur them nga të gjitha institucionet së pari janë ato të politikës, sepse kjo është një sëmundje që ka nevojë të trajtohet para se të shërohet, ka nevojë për reforma të thella dhe se është e domosdoshme që të gjithë politikanët, të gjithë punonjësit e sistemit të drejtësisë, prokurorë, gjyqtarë duhet ta lëshojnë imunitetin e tyre”, tha presidenti.

Presidenti Bamir Topi i ka dhënë përgjigje edhe akuzave të intensifikuara të mazhorancës kohët e fundit.

“Eshtë një lajm i mirë kur presidenti cilësohët si i shkëputur nga interesat partiake. Ju e dini që në momentin kur unë u zgjodha që të vija këtu në Presidencë kisha dhe një detyrim kushtetues për të hequr dorë nga çdo impenjim partiak. Fakti që Presidenti akuzohet në këtë linjë është tregues i korrektësisë institucionale dhe konstitucionale të Presidentit. Garanti për Kushtetutën sipas Kushtetutës së Shqipërisë është Gjykata Kushtetuese. Fakti që deri më sot kur kanë kaluar 4 vite e gjysmë nga mandati i Presidentit dhe ai nuk është kundërshtuar, qoftë dhe në një rast të vetëm nga kjo Gjykatë, ndërkohë që institucionet e tjera janë kontestuar nga kjo Gjykatë, tregojnë që këto akuza që i hidhen Presidentit janë të pabaza. Unë ndjehem mirë në zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjit, e kam bërë këtë me ndërgjegje të plotë dhe nuk më shqetësojnë akuzat e partive politike, cilado qoftë ajo”, shprehet kreu i shtetit.

Ndërkohë në një tjetër intervistë për Zërin e Amerikës, Topi vlerësoi klimën e re të bashkëpunimit mes maxhorancës dhe opozitës.

Viti 2011 u karakterizua nga episode absolutisht të pakëndshme, që u shkaktuan, sipas meje, nga mungesa e komunikimit politik, nga konfliktualiteti politik dhe ajo mungesë bashkëpunimi, që nuk është e natyrshme në një vend demokratik. Unë gjithmonë kam shpresuar, dhe tek e fundit e shohim të realizuar, që ka një rivendosje të komunikimit, të dialogut. Çështja e produktit është sërish çështje e vullnetit të forcave politike parlamentare. Fakti që janë ulur për të diskutuar për reformën zgjedhore, fakti që janë miratuar disa ligje, të cilat nuk mendoheshin që të aprovoheshin në parlament, tregon se gjërat kanë filluar të rivijnë në normalitet. Është vetëm një rifillim i këtij kthimi në normalitet. Duhet të presim për të parë vazhdimësinë e angazhimit dhe detyrimit që kanë partitë politike për të mos krijujar pengesa të kësaj natyre, sepse vërtetë dialogu apo debati politik mund të kenë emocione politike, por mbrapa vendimarrjeve parlamentare, ka çështje shumë të rëndësishme, që kanë të bëjnë me shtetin, kanë të bëjnë me institucionet, kanë të bëjnë me funksionimin e disa strukturave të cilat janë me rëndësi të jashtëzakonshme për demokracinë”, tha Topi.

Presidenti është pyetur si ndjehet tani pas pesë vitesh, kur duket se dera e Partisë Demokratike i është mbyllur.

“Së pari, unë do të thoja që kam ardhur në Presidencë duke zbatuar një detyrim kushtetues, për të lënë pozicionin që unë kam pasur në Partinë Demokratike, së dyti, pavarësisht se cila do të jetë e ardhmja e individit Bamir Topi, unë nuk mendoj që demokracia dhe demokratët ndodhen vetëm nëpër institucione. Demokratët janë në terrenin shoqëror, janë në terrenin publik, ata i takojmë çdo ditë dhe unë do të thoja që nuk shkon shumë ai termi i përdorur, pasi në demokraci çdo individ e ka terrenin të hapur. Vetëm atëherë, kur ne do të arrijmë standardet më të larta të demokracisë, atëherë do të kuptojmë që demokracia, qoftë edhe politika, qoftë edhe biznesi, qoftë edhe cdo veprimtari tjetër jetësore, është një çështje konkurence reale. Le t’ia lëmë perspektivës për të vlerësuar e për të gjykuar ecurinë e secilës karrierë, qoftë kjo individuale, por qoftë edhe në grup”, tha presidenti Topi.

Top Channel