Disa të vërteta për mbretërinë

27/12/2011 00:00

Dorian Koçi – Në shtator të vitit 1928, një propozim i deputetëve të Skraparit në
Parlamentin shqiptar të Republikës së parë Shqiptare të themeluar në
janar 1925, do të ndryshonte skenën politike në vend.

Propozimi në thelb, nuk ishte një propozim i zakonshëm që do të bënte të mundur iniciativa të zakonshme parlamentare për rishikimin e buxhetit apo për orientimin e politikës së jashtme të Shqipërisë si mund të kishte rëndom në çdo kohë dhe në të gjitha parlamentet e botës, por ai do të përfshinte dhe do të synonte ndryshimin e statusit juridik të Shqipërisë. Deputetët e Skraparit dhe një grup tjetër i madh deputetësh që i mbështetën pa rezerva, propozuan që Shqipëria të kthehej nga republikë, në mbretëri dhe Presidenti i Republikës, Ahmed Bej Zogolli, të shpallej mbret i Shqipërisë me emrin Ahmed Zog I. Në këtë mënyrë, sipas atyre që bënë propozimin, por dhe shumë analistëve politikë të kohës, Shqipëria rikthehej në normalitet dhe nuk do të ishte më një “dele e zezë” mes shteteve monarkike të Ballkanit. Idetë që patën ardhur dikur nga Amerika nga dy njerëz eklektikë, politikanë dhe shkrimtarë, Fan Noli dhe Faik Konica, për themelimin e republikës pas eksperimentimit të dështuar me një monark europian, nuk kishin hedhur ende rrënjë në mentalitetin shqiptar. Nuk kishin mjaftuar për këtë gjë as editorialët në gazetën “Dielli” të Konicës, as introdukta e Nolit te përkthimi i “Jul Qesarit” të Shekspirit. Kjo gjë kish ndodhur, jo sepse editorialët nuk ishin të përkryer për të ilustruar idetë e tyre, por sepse për fat të keq të tyre dhe të Shqipërisë, populli shqiptar ishte në masë të madhe analfabet dhe as që lexonte se shkruanin dhe predikonin këta dy njerëz të shkolluar.

Në mungesë të leximit, njerëzit preferonin diçka më të thjeshtë. Një bisedë kokë për kokë, një qarje halli, një kërcënim force kur e tepronin me sjelljen e tyre antishtetërore, një rrahje shpatullash kur nuk i mundje dot si kundërshtarë dhe një afrim posti për t’i ngjitur në sferat e pushtetit dhe të kontributit të tyre në favor të Shqipërisë. Për të arritur këtë gjë, që në Shqipëri ishte arti i të qeverisurit të kohës, nuk ishte e nevojshme doktoraturë në Harvard si Konica apo studime të thelluara në gjuhë të ndryshme si Noli, por vullneti dhe këmbëngulja e një njeriu që në shkurtimin e vet nga Zogoll në Zog po shënjonte dhe ndryshimin e Shqipërisë. Mbretëria e re shqiptare që u krijua përkundrejt toneve tallëse të këngës së “Salep Sulltanit” të Nolit, krijoi ndërgjegjen shtetërore aq të nevojshme ndër shqiptarë, u kujtoi fqinjëve se mbreti ishte i gjithë shqiptarëve dhe përtej kufirit dhe me politikat nxitëse drejt dijes dhe përparimit po nxiste zemrat djaloshare për një të ardhme më të mirë. Kosto e lartë për të arritur këtë gjë? Pa diskutim që ky debat është nga më të qenësishmit që mund të shtrohet në historinë e Shqipërisë. Asnjë mbretëri në Ballkan nuk kish mundur që të qeveriste e qetë pa turbullime sociale. Aq më tepër kjo gjë nuk mund të pritej në Shqipëri, ku legjitimitetin e skeptrit të bekuar nga Europa e pat humbur një monark i huaj dhe tashmë kërkonte ta fitonte një njeri, familja e të cilit s’kishte as më shumë dhe as më pak se të gjitha familjet e tjera të mëdha shqiptare. Madje disa nga këto të fundit kishin kontribuar edhe në qeverisjen e hapësirave të mëdha perandorake, ndërsa ajo e Zogollëve kish qeverisur vetëm krahinën e vet problematike. Vetë njeriu që po pretendonte fronin mbretëror disa nivele edukimi i kishte kaluar në oborrin e Sulltan Abdyl-Hamidit, një oborr oriental, ku tradita politike rrëfente se shpeshherë që së bashku me fermanin e emërimit si pasha mund të merrje dhe bujurdinë e prerjes së kokës si rebel dhe kundërshtues i Padishahut. Në këtë kontekst, ashtu si dëshmon në kujtimet e veta bashkëkohësi dhe kundërshtari i tij politik Sejfi Vllamasi, politikani Ahmet Zogolli do të ishte një mjeshtër i kulimave, duke bërë punë të ndyra me duar të pastra, pa lënë asnjë gjurmë. Vrasjet politike të Avni Rustemit, Bajram Currit, Luigj Gurakuqit e Hasan Prishtinës sado që u mbuluan si vrasje me motive personale të vrasësve, nuk mundën t’i shpëtojnë gjyqit të kohës dhe të historisë. Ato janë klasifikuar tashmë si vrasje politike dhe besoj se nuk bëjnë krenar as edhe një mbështetës të monarkisë. Gjithsesi, kohët e turbullta të viteve ‘30 me përplasjet e forta ideologjike nuk mund të zbehin shkëlqimin e një përpjekje të mirë për të bërë Shqipërinë, aq më tepër kur kjo përpjekje u transmetua si një vlerë e patjetërsueshme në familjen mbretërore. Paaftësia për të bërë më të mirën e mundshme nuk mund të konsiderohet si tradhti me qëllim. Njëmbëdhjetë vjet më vonë, pasi Shqipëria ishte shpallur mbretëri dhe dy ditë më parë se agresorët fashistë të rrënonin pavarësinë e Shqipërisë, lindi Princ Leka që në ditë më të qeta për Shqipërinë do të kishte sjellë fat më të madh vendit. Por jo gjithmonë qeniet njerëzore mund të kontrollojnë fatin e tyre, e aq më tepër kur goditjet e pabesa vijnë në çaste kritike. Në shënimet e veta në ditarin personal, Konti Ciano, arkitekti i pushtimit italian të Shqipërisë dhe dhëndri i Musolinit, shënon gjithë cinizëm se rezistenca shqiptare mund të jetë më e dobët, pasi pritet që mbretëresha të lindë. Zgjedhja e datës së pushtimit u bë edhe në varësi të lindjes së princit trashëgimtar, duke dashur që ta vinin monarkun shqiptar në një pozicion të vështirë. Dhe ia arritën qëllimit duke rrënuar pavarësinë shqiptare dhe duke bërë të mundur edhe mërgimin e gjatë të familjes mbretërore nëpër botë. Për fat të keq mbreti ra në fatalitetin e njerëzve të zakonshëm dhe nuk mundi të ngrihej mbi ta për të luajtur rolin si sovran i një vendi që po pushtohej. Midis familjes së vet personale dhe familjes së madhe që përbente interesat kombëtare, zgjodhi këtë të parën. Në momentet e fundit u largua drejt Greqisë pa bërë rezistencë dhe me arkat e thesarit shtetëror me vete. Pushtimi në fakt, këmbëngulin shumë historianë, ishte një kronikë e një akti të paralajmëruar që në vitin e largët 1926, kur ishte nënshkruar Pakti i parë i Tiranës dhe ishin marrë huat e mëdha, një pjesë e të cilave për fat të keq kishin kaluar në xhepat e familjes mbretërore. Ciano, sërish për sytë e opinionit botëror, deklaroi se pavarësisht kontradiktave me mbretin Zog dhe regjimin e tij, mund t’i jepnin strehim Mbretëreshës Geraldinë që ishte lehonë. Cinizëm alla europian i klasit të parë!

Por nëse ishte e kuptueshme që fashistët italianë të ushtronin me politikën e tyre një cinizëm të hapur, kjo gjë ishte e patolerueshme për demokracitë europiane. Gjithandej ku shkoi familja mbretërore edhe pse e njohur si e tillë nga të gjitha ambasadat e të gjitha fuqive të mëdha në Tiranë në vitin 1928, u gjend para një realiteti të trishtë, ku ky status iu vu në dyshim. Në fillim shteti grek që s’kish pasur as fuqinë që të protestonte se pse mbreti Zog i kish vënë emrin princit të tij trashëgimtar Leka, një revokim i emrit të Aleksandërit të Madh, i uroi një mirëseardhje të thatë dhe pastaj vazhdimisht bënte fjalë për largim të tij të frikësuar nga presioni italian. Pas një rrugëtimi të gjatë nëpër Europë, familja mbretërore do të arrinte në ishullin britanik, atdheun e monarkisë. Mirëpo gjërat nuk do të ecnin vaj, sa për faj të koniunkturave politike që se dëshironin më mbretin Zog nëpër këmbë po aq dhe për sjelljen e treguar më 7 prill, ku ishte larguar pa bërë një rezistencë që do të shkundte Europën nga alergjia që kish për problemet shqiptare. Vetëm 4 vjet më parë Etiopia, një vend afrikan, kishte bërë një qëndresë të admirueshme ndaj Italisë fashiste, ndërsa vendi i shqiponjave ishte dorëzuar pa cak, pa bam të hynte vetë në kafazin e robërisë. Ishte kjo klimë politike që reflektonte te Kryeministri anglez i kohës, Winston Churcill, që nuk pranoi ta priste asnjëherë në audiencë mbretin e Shqipërisë, sepse kish hall se mos i mërziteshin monarkët grekë, vendin e të cilëve e donte ta kishte nën influencën e Anglisë, por dhe grupet politike në Shqipëri që po bënin rezistencën ndaj fuqive të boshtit. Ndaj ai gjente një mijë e një mënyra për të mos e pritur apo bënte dhe komente cinike rreth tij, por mbreti nuk “mërzitej” dhe vazhdonte me ngulm të mbante kontakte me diplomacinë angleze, sepse e dinte që prej andej do të vendosej edhe fati i Shqipërisë. Mirëpo në gjithë këtë përpjekje që mbreti bënte sa për vendin e vet po aq edhe për fatin e familjes mbretërore dhe rikthimin në Shqipëri, harronte dhe nuk reflektonte se mos rezistenca e tij e kish zhytur vendin e pambrojtur shqiptar në arenën diplomatike në një kaos diplomatik për sa i përket statusit të vet. Asnjë nuk e njihte Shqipërinë si vend të pushtuar, për shkak se vendi ishte pushtuar para datës zyrtare të fillimit të Luftës së Dytë Botërore, pjesa më e besuar e elitës së vendit i kish afruar kurorën familjes mbretërore italiane vetëm 5 ditë pas pushtimit të vendit dhe prej këndej kishin lindur ndërlikime juridike që s’kanë marrë fund as sot me hyrjen në luftë të qeverisë kukull shqiptare përkrah Italisë fashiste jo vetëm kundrejt Greqisë, por dhe shteteve të tjera perëndimore. Asnjë nuk e di sesi do të kish reflektuar mbreti Zog nëse do të ishte kthyer në pushtet në Shqipëri pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. A do të kish përqafuar parimet e demokracisë liberale që e kish shkelur me këmbë në marshimin e tij të vrullshëm nga Beogradi në vitin e largët 1924? A e kish pasur shumë seriozisht kur i kish propozuar Fan Nolit për t’u rikthyer në qeverisje apo pasi të merrte pushtetin liberalët do të kishin fatin e qeverisë së Mehdi Frashërit dhe akoma më keq të Ismet Totos të varur? A do të hiqte dorë nga qeverisja nëpërmjet hijes së Lalës së vet Abdurrahman Krosit apo do të përqafonte parime moderne të qeverisjes? Të gjitha pyetjet janë të hapura dhe vetëm për një gjë që mund të jemi të sigurt, se në emigracion ai u përpoq për bashkimin e emigracionit shqiptar dhe do të ndërmerrte akte si kur do t’i shkruante Asamblesë së OKB-së për ta pranuar Shqipërinë si vend anëtar, edhe pse vendi udhëhiqej nga kundërshtarët e tij ideologjikë që e kishin ndaluar ardhjen, konfiskuar pasurinë dhe i kishin shkatërruar varrin e së ëmës! Ndoshta në mplakje të jetës së vet dëshironte të jepte sinjale të jetës institucionale aq të nevojshme për të gjitha kohët për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Kjo përgjegjësi institucionale, që vetë ai e kish themeluar gjatë mbretërisë së tij që nga hartimi i statuteve ligjorë deri te jeta administrative e shtetit shqiptar, i mungon kaq shumë Shqipërisë së sotme. I biri i tij, Leka, pretendenti për fron që tashmë pushon në varrezat e Sharrës, i përcjellë me nderime, por jo pa komente keqdashëse, sa ishte gjallë nuk i dha shkas asnjë njeriu që të fliste qoftë dhe një fjalë të keqe për papërgjeshmëri institucionale. I kthyer pas 58 vjetësh në atdhe provoi të testonte vullnetin e popullit shqiptar për rivendosjen e monarkisë dhe pavarësisht faktit që votimi u krye në vitin e mbrapshtë 1997, ku armët ishin sheshit, i zënë në kurth mes intrigave të politikës shqiptare ku asnjëra palë nuk e deshi, pranoi verdiktin që doli nga to. Me dashurinë e pafundme për trojet shqiptare jashtë kufirit, buzëqeshjen dhe një cigare në buzë do të mbahet mend si njeriu që braktisi çdo gjë jashtë për të ardhur dhe vdekur në vendin e vet. I nipi i Ahmet Zogut, Leka II, është një nëpunës i zakonshëm i shtetit shqiptar, i fejuar me një vajzë jo me gjak blu, që jeton një jetë normale si qytetar i Republikës së Shqipërisë. Mesa duket i shkon për mbarë më tepër ky status që paradoksalisht e ka origjinën nga gjyshi i tij, që përveçse themeluesi i monarkisë, ishte edhe themeluesi i Republikës së parë Shqiptare më 1925-n. I çuditshëm për një historian ky fakt, por jo për një vend si Shqipëria, ku historia e “Hirushes” që fle në një shtëpi të thjeshtë dhe të nesërmen zgjohet në pallat, është një nga historitë më të treguara. Viti tjetër shënon njëqindvjetorin e pavarësisë dhe memoriali i familjes mbretërore nuk do të jetë i plotë pa eshtrat e mbretit Zog. Ky vend ka mbajtur eshtra të tërë pushtuesish që kaluan në gjithë këto epoka historike, por do të ndihet i paplotë nëse nuk ka mes tij atë që e ngriti në piedestal, por dhe rrëzoi, gjithmonë pa vënë në dyshim thënien se pushtetet dhe mbretërimet janë si jetët njerëzore me oshilacione, të përpjeta dhe të tatëpjeta, por përherë të dashuruara ndaj vendit ku jetojnë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel