“Sky Petroleum” kërkon 1 miliard USD dëmshpërblim

26/12/2011 08:00

Qeveria shqiptare ka anuluar pa shumë zhurmë muajin e kaluar një kontratë koncesionare për kërkimin e naftës dhe gazit, ndërsa kompania ‘Sky Petroleum’, kontrata e së cilës u anulua nga AKBN, e konsideron vendimin e padrejtë dhe kërkon nga qeveria dëmshpërblime që sipas saj, arrijnë në më shumë se 1 miliard dollarë, bën të ditur gazeta ‘Shqip’.

Lajmi bëhet i ditur nga një deklaratë e kompanisë si dhe një deklaratë e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.
 
Kompania ‘Sky Petroleum’, nga Teksasi, është një “penny company”, aksionet e saj tregtohen në bursë për 12 cent. Ajo ka emetuar rreth 60 milionë aksione dhe me çmimin aktual të aksioneve, vlera tregtare e të gjithë kompanisë, është vetëm pak milionë dollarë.

Kontrata

Ish-Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti nënshkroi kontratën me kompaninë nga Teksasi në vitin 2010, dhe kjo marrëveshje u miratua nga Këshilli i Ministrave dhe u publikua në Fletoren Zyrtare. Kjo është një nga shumë kontratat që qeveria ka nënshkruar me kompani fantazmë, të cilat shpesh zhduken nga harta e koncesioneve pa zhurmë. Këto lloj kompanish më së shumti funksionojnë si spekulime afatshkurtra, pasi kërkojnë të shfrytëzojnë miliardat e dollarëve që investitorët ndërkombëtarë i hedhin në kërkim të burimeve të reja të naftës.

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore njoftoi kompaninë shtatorin e kaluar se, nuk kishte plotësuar kushtet kontraktuale dhe për rrjedhojë kontrata e saj ndërpritet.

“Kompania duhej të krijohej dhe të kryente programin minimal të punës brenda tre muajve pas datës së miratimit, duhej të regjistronte një zyrë në Shqipëri si dhe duhej të dorëzonte te AKBN një garanci bankare”, – thuhet në njoftimin e AKBN-së.

Kompania iu përgjigj se, sipas mendimit të saj, kontrata nuk qe shkelur. Në nëntor, AKBN publikoi në faqen e vet në internet një njoftim ku saktësohej se kontrata me ‘Sky Petroleum’ qe ndërprerë dhe se blloqet e disponuara prej saj janë të lira për palët e interesuara. Mjaftoi njoftimi i AKBN-së në faqen e saj të internetit, që ‘Sky Petroleum’ të konsiderojë kontratën me qeverinë shqiptare të ndërprerë në mënyrë të njëanshme.

“Konsulenti ligjor i ‘Sky Petroleum’ i ka dorëzuar njoftimin AKBN-së se, ndërprerja e kontratës së koncesionit është kryer në kundërshtim me kontratën dhe për këtë arsye, kompania do t’i drejtohet shërbimit të arbitrazhit”, – thuhet në njoftimin e kompanisë.

“Seksioni 24.2 (a) i kontratës së koncesionit, kërkon që AKBN të njoftojë ndërprerjen e kontratës 120 ditë para dhe se kontrata mund të quhet e përfunduar vetëm në rast se kompania nuk arrin të plotësojë kushtet e shkelura përgjatë një kohe të arsyeshme. ‘Sky Petroleum’ nuk është në shkelje të këtyre kushteve. Menaxhmenti beson se akuzat janë pabazuara dhe se njoftimi i përfundimit të kontratës nuk ka shkak të arsyeshëm”, – thotë kompania.

Kontrata e koncesionit sanksionon që mosmarrëveshjet mund të diskutohen nga një gjykatë arbitrimi. Shqipëria nuk ka eksperiencë të mirë në diskutime të tilla, pasi shpesh kompani të huaja i kanë fituar gjykimet, gjë që i ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë dhjetëra milionë dollarë. Gjykimi do të menaxhohet nga Shërbimi i Arbitrazhit i Zyrës Ndërkombëtare të Tregtisë në Paris, ndërsa gjykimi do të ndodhë në Zyrih të Zvicrës.

“’Sky Petroleum’ kërkon dëmshpërblim financiar që përfshin fitimet e humbura të kompanisë nga kontrata e koncesionit, të cilat vlerësohet se janë më të larta se sa 1 miliard dollarë”, – thuhet në njoftimin e kompanisë.

Top Channel